Ushtria izraelite (IDF) mbrëmë ka njoftuar se ka filluar një ofensivë të re të madhe në Rripin e Gazës.
“IDF ka filluar me sulme të gjera dhe mobilizimin e trupave për të arritur kontroll operacional në zonat e Gazës,” thuhet në njoftimin e ushtrisë në platformën X.
“Kjo është pjesë e përgatitjeve për zgjerimin e operacioneve dhe përmbushjen e objektivave të luftës, duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe çmontimin e organizatës terroriste Hamas”, shtohet më tej.
Mediat izraelite raportuan se zgjerimi i operacioneve do të fillojë pas përfundimit të udhëtimit të presidentit amerikan, Donald Trump në rajonin e Gjirit Persik, nëse deri atëherë nuk arrihet një marrëveshje e re për Gazën.
Trump tashmë ka përfunduar udhëtimin disaditor, ndërsa një marrëveshje e re ende nuk është në horizont.
Dje, agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi se që nga e enjtja në mbrëmje të paktën 100 persona janë vrarë në veri të Rripit të Gazës pas disa sulmeve ajrore izraelite, ndërsa administrata shëndetësore e kontrolluar nga Hamasi njoftoi për 93 të vrarë dhe mbi 200 të plagosur.
Qeveria izraelite prej dy muajsh po bllokon çdo ndihmë për atë territor, ndërkohë që organizatat humanitare ndërkombëtare paralajmërojnë për kushte katastrofike humanitare. Sipas administratës shëndetësore të kontrolluar nga Hamasi, pothuajse 53 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës me Izraelin më shumë se një vit e gjysmë më parë.
Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit dhe ekstremistëve të tjerë ndaj komuniteteve izraelite pranë Gazës më 7 tetor 2023, kur rreth 1200 persona u vranë dhe mbi 250 u morën peng. /Telegrafi/