Përmes një sulmi me dron në një autobus pasagjerësh në verilindje të Ukrainës, rusët kanë vrarë nëntë civilë, njoftuan zyrtarët lokalë.
Administrata ushtarake rajonale e Sumit bëri të ditur se edhe katër persona të tjerë janë plagosur.
Sulmi ndodhi në qytetin Bilopillia, të shtunën në mëngjes. Mjekët, ekipet e emergjencës dhe policia ndodhen në vendngjarje, raporton skynews.
Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi Rusia dhe Ukraina zhvilluan në Turqi bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta për paqen që nga viti 2022.
Megjithatë, bisedimet në Stamboll nuk sollën ndonjë përparim, dhe Ukraina e Rusia mbeten ende larg një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
Sidoqoftë, u arrit marrëveshja që secila palë të kthejë 1000 të burgosur lufte palës tjetër gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/