Lajme
Të shtunën përpjekja e 17-të për konstituimin e Kuvendit, analistët vlerësojnë se LVV nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë
Demokracia
22:09 | 16 Maj 2025

Share:

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani.

Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Politologu Melazim Koci ka analizuar për Telegrafin situatën e krijuar politike, dhe ka konstatuar se problemi qëndron te partia LVV, e cila nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.

“Është situatë pakës e çuditshme, ndonëse lehtë e e e shpjegueshme e lexueshme. Kemi të bëjmë thjesht me një lojë që janë duke e bërë të dy palët edhe pushteti ose qeveria në detyrë
edhe ish-opozita për një fakt shumë të thjeshtë, për faktin që nuk i kanë nuk e kanë shumicën as njëra as tjetra. Dhe kam përshtypje se në mungesë të numrave, ndoshta dhe nuk dinë si të veprojnë. Dhe thjesht blejnë kohë për të parë nëse ata numra mund t’i sigurojnë”, ka pohuar ai.

Gjithë këtë situatë Koci e quajti absurde.

“Sepse është e pakuptueshme pse nuk votohet nga opozita Albulena Haxhiu. Kandidatja për kryetare të Parlamentit duhet të jetë e Vetëvendosjes, nuk ka ndonjë dallim, Haxhiu, Bogujevci, dikush tjetër nuk bënë ndonjë dallim. Pra, mendoj se opozita është duke gabuar që nuk e ka votuar zonjën Haxhiu, sepse thjesht do t’ia shkurtonte kohën e blerjes për formimin e qeverisë, domethënë sepse do të hynte në atë pesëmbëdhjetë ditëshin kur zotëri Kurti ose do të bënte numra për qeveri ose do të do të duhej t’ia dorëzonte mandatin opozitës”, shpjegoi ai.

Mes tjerash, Koci tha se “Nga ana tjetër është e habitshme edhe fakti që zotëri Kurti nuk e ndërron kandidatin, thjesht nëse ka numrat, përse për shkak të zonjës Haxhiu të rrezikohej formimi i Qeverisë, megjithatë po e them që është evidente që ai nuk i ka numrat”.

“Dhe në këto rrethana ne kemi një lojë absurditeti, një teatër absurdi ku sillen në një qark vicioz të dy palët dhe kam përshtypje, tani nuk dinë si të veprojnë, si të dalin nga kjo situate, nga propozimet konkrete ishin dy si mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza? Ajo e zotit Kurti, Vetëvendosjes pra që ia dërgoi letrën për koalicion Lidhjes Demokratike, unë mendoj se është refuzuar për shkaqet e brendshme, ata nuk kanë unitet brenda vetë deputetëve të vet dhe ky ka qenë shkaku besoj i i refuzimit”.

“Dhe nga ana tjetër edhe oferta e Lidhjes Demokratike, për një qeveri gjithëpërfshirëse të tranzicionit, që nuk po pranohet lehtë në mesin e partive tjera. Këtë propozim të Lidhjes Demokratike e konsideroj se mund të jetë një nga zgjidhjet, meqë nuk ka zgjidhje më të mirë kjo do të ishte një zgjidhje më pak e keqe. Për faktin që asnjëra palë nuk i ka numrat dhe nuk do të mund t’i bëjë, për këtë jam i sigurt që asnjëra palë nuk do të mund t’i bëjë, mendoj se nuk zgjidhje ndoshta ajo që ju ka propozu LDK, me përfshirje të gjithëve”.

Të ngjashme