Lajme
Opsionet e vetme pas takimit te presidentja: Gjykata Kushtetuese dhe zgjedhjet
Demokracia
09:20 | 16 Maj 2025

Share:

Dy opsione kanë qenë më të përmendurat para takimit të liderëve te presidentja, dhe pas takimit kanë mbetur të njëjtat.

Ose që presidentja Osmani t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ose të arrihet një dakordim për zgjedhje të reja.

Megjithatë, në takim Kurti nuk ka folur.

Sipas Kurtit, situata aktuale nuk është aspak urgjencë, por diçka që mediat po e bëjnë të madhe.

Kjo ka nxitur reagime të ashpra edhe nga partitë në opozitë.

Presidentja e shtetit ka thënë se nëse ka nevojë, nga java e ardhshme do të fillojë takimet individuale me liderët e partive politike.

Osmani ka theksuar se “tymi i bardhë” del vetëm kur të konstituohet Kuvendi.

Ajo shprehu gatishmërinë që dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, nëse vazhdon zvarritja.

“Diskutimi ka qenë me respekt të ndërsjellë dhe konstruktiv, ndoshta për shkak të përvojës së gjatë, kam parë lloj-lloj takimesh, ky nuk ka qenë i tillë. Tymi i bardë del vetëm kur kemi konstituim të Kuvendit. Disponim minimal e thashë në kontekstin që vullnet ka tek të gjithë liderët për të gjetur zgjidhje, dhe për të dëgjuar edhe ide të reja. Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë, shpresa ka qenë që Kuvendi konstituohet më shpejt, e jo që kemi nevojë të vimë deri këtu…

Jam e gatshme t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese nëse vazhdon zvarritja e procesit. Nëse shkon shumë shumë gjatë, liderët duhet të ulen e të pajtohen për zgjedhje, megjithatë për këtë duhet të pajtohen së pari për konstituim të Kuvendi” – tha Osmani, transmeton Nacionale.

Kurti në heshtje pas takimit të djeshëm në Presidencë, i vetmi nga liderët që nuk e tha asnjë fjalë

Kryetar i Lidhjes Demokratke të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nuk pati kurrëfarë zgjidhje nga takimi i përbashkët i liderëve politikë në Presidencë të Kosovës.

“Dy partitë tjera dhanë mirëkuptim për këtë plan…por kjo punë vështirë të bëhet pa partinë e parë që i ka 48 mandate.Bllokada e imponuar nga ta nuk jep zgjidhje. Asnjë propozim asnjë lëvizje nga dëshirat partiae, u mblodhën për t’i dhënë gjërat që i dimë, ky takim si i tillë nuk pati kurrëfarë kuptimi. Më habiti shumë fakti që na tha se s’ka asnjë urgjencë, që kjo pritje është çështje mediatike jo popullore. Nëse s’ka dakordacnë, zgjedhjet janë zgjidhje përfundimtare. Askush nuk ka shumicë në parlament, përderisa s’ka hsumicë do të ketë edhe krizë”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar detaje nga takimi në Presidencë.

Ai ka thënë se nuk pret që Kurti ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit.

“Ishte diskutim brenda pozicioneve që ju i dini, që i kemi shprehur, në emër të PDK-së, kërkova që kryetari i VV-së, deputeti Kurti, ta ndryshojë kandidaten, të vie me një propozim që ka mjaft në grupin e tij paralamentar, një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh. Jemi në situatën e njëjtë ku jemi, megjithatë duhet ta shohim këtë takim si hap para, përpjekje shtesë, edhe nga involvimi i presidentes në këtë temë”, tha Krasniqi.

“Iu njoftoj se kam propozuar që presidentja në zbatim të përgjegjësive. Që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pyetje kushtetuese, apo përmes dërgimit të një lënde, për krejt procesin zgjedhor, që të kemi rrugëdalje. Më shumë se problem juridik kemi politik, kjo është krizë politike. Nëse kjo qasje imponuese e VV-së vazhdon, e kemi obligim për të gjetur zgjidhje”, tha ai më tutje.

Se cila do të jetë zgjidhja mbetet të shihet, dhe këtu rol kryesor pritet të ketë Gjykata Kushtetuese.

Ajo a në dorë që të vendos masë të përkohshme ndaj seancave çdo 48 orë, të cilat nuk po japin asnjë efekt.

Të ngjashme