Lajme
Raporti i BE-së për zgjedhjet përmend vonesat nga KQZ e retorikën e ashpër gjatë fushatës: Serbia ushtroi presion të papërshtatshëm mbi votuesit
Demokracia
14:24 | 15 Maj 2025

Share:

Bashkimi Evropian i ka dorëzuar sot kryeministrit Albin Kurti raportin vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Në këtë raport, BE ka përmendur disa nga problemet që kanë hasur gjatë këtij procesi zgjedhor e ndër to kanë qenë edhe vonesat që ka shkaktuar KQZ gjatë numërimit të votave.

“Fushata ishte dinamike, megjithëse u njollos nga retorika e ashpër dhe keqpërdorimi i resurseve publike. Në aspektin pozitiv, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) trajtoi me shpejtësi një numër të konsiderueshëm të rasteve, duke rezultuar në gjoba të konsiderueshme për shkeljet e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike. Në zonat me shumicë serbe të Kosovës, kushtet sociale mbeten të rënda, duke krijuar hapësirë për Serbinë dhe Listën Serbe (SL) që të ushtrojnë presion të papërshtatshëm mbi votuesit. Edhe pse liria e medias është pranuar gjerësisht, paralizimi i Komisionit të Pavarur të Medias (KPM) në javët para ditës së zgjedhjeve i la pa adresuar shkeljet e mediave. Megjithatë, votuesit dhe aktorët kryesorë në proces demonstruan qëndrueshmëri dhe një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike”, thuhet në raportin e BE-së.

BE ka thënë se procesi zgjedhor u karakterizua me përpjekje për politizimin e institucioneve kyçe nga partia në pushtet, veçanërisht KQZ-së dhe KPM-së.

“KQZ-ja u ngatërrua në mosmarrëveshje politike dhe i politizoi disa aspekte teknike të procesit zgjedhor. Përpjekja nga anëtarët e emëruar të LVV-së në KQZ për të parandaluar certifikimin e Listës Serbe (LS), dhe bllokimi i disbursimit të fondeve publike për partitë politike, vuri presion të konsiderueshëm mbi institucionin”, thuhet në raport.

Të ngjashme