Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar përbërjen e delegacionit që do të udhëtojë në Stamboll për bisedimet me Ukrainën, ka njoftuar shërbimi për shtyp i Kremlinit.
Delegacioni do të kryesohet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i liderit rus. Në bisedime do të marrin pjesë edhe zëvendësministri i punëve të Jashtme, Mikhail Galuzin, shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gor Kostyukov, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Alexander Fomin.
Përveç kësaj, Putin ka miratuar edhe një ekip ekspertësh për bisedimet me Ukrainën. Ndër ta janë zyrtari i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, Aleksandar Zorin, përfaqësuesja e administratës së Putinit, Elena Podobreevskaja, drejtori i Departamentit për vendet e CIS në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Alexey Poliščuk dhe zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Volodymyr Shevcov.
Nuk ka shenja nëse vetë diktatori rus do të marrë pjesë në bisedime, shkruan themoscowtimes.
Kujtojmë se, në fjalimin e tij të mbrëmjes më 14 maj, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se po pret informacione për përbërjen e delegacionit rus në bisedimet në Turqi, në mënyrë që të përcaktohen hapat e mëtejshëm të Ukrainës.
Më herët ai e kishte theksuar disa herë se do të priste personalisht kreun e Federatës Ruse. Megjithatë, Kremlini e mbajti të fshehtë përbërjen e delegacionit rus për tre ditë.