Bashkimi Evropian ka publikuar fjalën e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, që e ka mbajtur gjatë paraqitjes për media me Presidenten Osmani.
Ndryshe nga konferenca për media ku portugezi Osmanin e ka quajtur Presidente të Republikës së Kosovës, në njoftimin e BE’së ku jepet fjala e zyrtarit evropian s’përmendet Republika.
“Dua të përshëndes angazhimin tuaj personal si Presidente e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, duke shënuar një fusnotë tek Kosova në njoftimin e BE-së.
BE ndjek një qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës për shkak se pesë vende anëtare të saj nuk e njohin pavarësinë. Costa vjen nga Portugalia, vend që e ka njohur Kosovën.
Më tej në njoftimin ku përcillet fjala e Costa potencohet se “zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik për Bashkimin Evropian. Është edhe angazhimi im personal”.
“Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe. Është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e axhendës suaj ambicioze të reformave, në mënyrë që të mund të përfitoni plotësisht prej saj”, është shprehur tutje Costa.
“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian. Por kjo gjithashtu kërkon që ju të përmbushni angazhimet tuaja”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti i Këshillit Evropian.