Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një raund konsultimesh me partitë politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën dhe për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në emisionin DebatPlus në RTV Dukagjini, analistët politikë kanë vlerësuar situatën e krijuar dhe ndikimin që mund të kenë takimet e presidentes me liderët politikë.
Analisti Sadri Ramabaja e ka cilësuar thirrjen e presidentes si një hap pozitiv drejt zgjidhjes së krizës politike. Sipas tij, megjithëse Osmani nuk ka kompetenca për të zgjidhur drejtpërdrejt këtë situatë, gatishmëria e liderëve për të marrë pjesë në takime është një shenjë inkurajuese.
“S’është në dorën e saj ta zgjidhë situatën, por është shenjë e mirë që të gjithë liderët kanë pranuar të takohen. Ka shenja që deputetët do ta zgjidhin këtë ngërç”, deklaroi Ramabaja. Ai shtoi se mund të ketë deputetë që do të veprojnë ndryshe nga udhëheqësit politikë, të cilët sipas tij, e kanë futur vendin në këtë krizë.
Ramabaja vlerësoi se presidentja Osmani mund të luajë rol në zbutjen e tensioneve përmes presionit pozitiv ndaj aktorëve politikë.
Nga ana tjetër, analisti Astrit Gashi u shpreh se nuk pret që kriza të përfundojë me zgjedhje të reja, pavarësisht mungesës së marrëveshjes ndërmjet partive. Ai parashikoi se do të ketë një zvarritje të situatës, e cila në fund do të prodhojë një qeveri.
“Nuk pres që opozita ka me i shpeshtu takimet e do të bëj marrëveshje pas këtij takimit te presidentja. Por mendoj se do të sillemi ashtu në një zingjirë që nuk do të na qojë në zgjedhje, por në fund do të na prodhojë një qeveri domosdo”, tha Gashi.
Sipas tij, zgjidhja më e mundshme është një qeveri e përbashkët mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. “Prapë mendoj se qeveria që ka me u prodhu nga ky proces ka me qenë ajo VV–PDK. Nuk ka se si tjetër, s’ka të bëjë me preferenca por nuk ka sesi të bëhet ndryshe”, shtoi ai.
Ndërkohë, ngërçi kryesor mbetet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, por ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në asnjërën nga votimet.
Për më tepër, më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e ndryshimit të procedurës së votimit për kryetarin e Kuvendit – nga votim i hapur në të fshehtë. Kjo kërkesë është përkrahur edhe nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së, ndërsa Vetëvendosje mbron ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e votimit të fshehtë.
Pavarësisht dallimeve të thella politike, liderët e tri partive opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konsultimet me presidenten Osmani. Edhe Vetëvendosje ka njoftuar se do të marrë pjesë në takim.
Konsultimet e presidentes pritet të jenë një mundësi e fundit për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe shmangien e një krize të zgjatur institucionale në vend.