Lajme
Merz: Gjermania duhet të ketë ushtrinë më të fortë në Evropë
Demokracia
14:45 | 14 Maj 2025

Share:

Friedrich Merz, kancelar i ri i Gjermanisë, ka prezantuar agjendën e qeverisë së tij para deputetëve të Bundestagut.

Merz ka bërë të ditur se ai synon veprime të shpejta për rritjen, migracionin dhe mbrojtjen, ndërsa sipas DW, në lidhje me politikën e jashtme, Merz ka thënë se Gjermania dëshiron unitetin më të madh të mundshëm ShBA-Europë për Ukrainën.

Bëhet e ditur se kancelari poashtu ka thënë se vendi e ka për qëllim që “të ketë ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”.

“Është e përshtatshme për ekonominë më të madhe dhe më të fuqishme të Evropës. Dhe partnerët tanë e kërkojnë këtë,” është shprehur ai, sipas DW.

Ai tutje ka theksuar se Gjermania do të riafirmojë rolin e saj të një lideri në Evropë, duke rindërtuar besim me partnerët dhe duke mbështetur Ukrainën.

Kujtojmë se gjatë javës së parë në detyrë, Merz nisi me një ripërshtatje të marrëdhënieve franko-gjermane përmes bisedimeve me presidentin Macron, duke vazhduar me një vizitë simbolike në Varshavë. Më pas, ai në Bruksel, premtoi t’i japë fund zakonit të Gjermanisë për të abstenuar në vendime të rëndësishme të BE-së.

Ndërkohë, duke riafirmuar angazhimin e Gjermanisë për NATO-n, Merz ka thënë se: “Duhet të jemi në gjendje të mbrohemi që të mos kemi nevojë ta bëjmë këtë. Fuqia frikëson agresorët. Dobësia i fton ata.”

Të ngjashme