Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që nesër të ketë një agjendë të ngjeshur. Ajo do të takojë të gjitha partitë parlamentare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional që ka bllokuar kuvendin tash e 15 seanca.
Përveç partive të mëdha, presidentja do të takojë edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Deputetja boshnjake, Duda Balje, tha për Indeksonlinen se do të marrë pjesë në takimin e nesërm për të dëgjuar propozimet e presidentes Osmani, transmeton Periskopi.
“Po, presidentja na ka ftuar në orën 16:00. Nuk do të jemi bashkë me partitë politike shqiptare. Komuniteti joshumicë ka ftesë të veçantë. Do të flasim për mundësinë se si të ecim përpara. Tani mbetet të shihet si do të vendoset”, deklaroi ajo.
E pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me votimin e kryetares së kuvendit, Albulena Haxhiu, Balje tha se do të presë propozimet që do të dalin nga takimi.
“Unë nesër do të shkoj për ta dëgjuar presidenten, nëse ka ndonjë propozim për dalje nga kriza. Më pas do të vendosim bashkë me partitë”, u shpreh Balje.