Lee Zeldin, drejtor i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), ka shkaktuar polemika duke njoftuar se do të punojë për të eliminuar stimujt federalë për përdorimin e gjerë të sistemeve start-stop.
Zeldin e njoftoi këtë në X, duke e përshkruar sistemin si “teknologji ku vetura juaj fiket në çdo semafor të kuq në mënyrë që kompanitë të marrin një trofe klimatik për pjesëmarrjen”.
“EPA e miratoi atë dhe të gjithë e urrejnë, kështu që po e rregullojmë”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Një sistem automatik start-stop është një teknologji që e fik automatikisht motorin e një veture kur automjeti ndalet, për shembull në një semafor ose në një bllokim trafiku, dhe më pas e rindez atë kur automjeti ndizet.
Qëllimi i kësaj teknologjie është të zvogëlojë konsumin e karburantit dhe emetimet.
Efikasiteti i sistemit start/stop në kursimin e karburantit varet nga stili i drejtimit.
Sipas Consumer Reports, nëse drejtoni kryesisht në autostradë, ku ndalesat janë të rralla dhe të shkurtra, kjo teknologji nuk do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e karburantit.
Megjithatë, nëse kryesisht drejtoni veturën në rrugë lokale, ku ka ndalesa të shpeshta për semaforët, tabelat e ndalimit dhe këmbësorët, është e mundur të kurseni midis 7.27% dhe 26.4% të karburantit, sipas të dhënave nga Shoqata e Inxhinierëve të Automobilave (SAE).
Kjo teknologji është bërë më popullore në SHBA, falë rregulloreve për ekonominë e karburantit dhe emetimet e futura nga administrata e ish-presidentit Barack Obama.
Megjithatë, prodhuesit evropianë të veturave e prezantuan këtë veçori në automjetet hibride më shumë se një dekadë më parë, dhe tani është bërë standard në shumë modele të reja.
Njoftimi i Zeldin shkaktoi reagime të përziera. Kritikët argumentojnë se heqja e stimujve për këtë teknologji mund të ketë ndikim negativ, në përpjekjet për të ulur emetimet e gazrave serrë dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.
Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se kjo teknologji nuk është e popullarizuar në mesin e shoferëve dhe se efektiviteti i saj varet nga kushtet specifike të drejtimit.
EPA nuk ka publikuar ende plane të detajuara se si do të zbatohet heqja e stimujve, por tema pritet të gjenerojë debate dhe analiza të mëtejshme në muajt në vijim.