Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra thotë se qëndron në krah të liderëve të UÇK-së dhe shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm.
Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha deklaroi pas takimit me deputetin e Parlamentit të Kosovës Artan Behrami. “Sot prita në një takim të veçantë z. Artan Behrami, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave të lirisë që udhëhoqën një luftë të drejtë për çlirimin e popullit të Kosovës nga një regjim shtypës dhe kriminal. Federata VATRA, si zëri historik dhe institucional i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të garantojë transparencën që meriton historia jonë kolektive. VATRA thotë se qëndron krah liderëve të UÇK-së që sot, sipas tyre, padrejtësisht po mbahen larg atdheut, me bindjen se drejtësia do të triumfojë dhe do të vulosë edhe një herë legjitimitetin e luftës sonë për liri”, deklaroi kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha. /Demokracia.com/