Lajme
Nipi i Shemsi Sylës emërohet ushtrues detyre i Drejtorit të Infermierisë në Spitalin e Gjilanit
Demokracia
16:22 | 10 Maj 2025

Share:

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është bërë një emërim i ri në një pozitë të rëndësishme udhëheqëse. Kushtrim Syla është caktuar si ushtrues detyre i Drejtorit të Infermierisë, një rol kyç në menaxhimin dhe organizimin e shërbimeve infermierore në këtë institucion shëndetësor.

Emërimi i Sylës ka ngjallur vëmendje jo vetëm për shkak të pozitës së tij të re, por edhe për lidhjet familjare. Kjo pasi që Kushtrim Syla është nipi i Shemsi Sylës, zëvendësministër aktual në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Afrim Cana, për të marrë informacione të tjera në lidhje me emërimin e Sylës në këtë pozitë.

Nacionale është interesuar nëse së shpejti spitali do të hapë konkurs për këtë pozitë dhe për sa kohë Syla do të ushtrojë pozitën e Drejtorit të Infermierisë. Cana në përgjigjen e tij ka thënë për gazetën se:

Z. Kushtrim Syla është emëruar në këtë pozitë nga menaxhmenti i kaluar pak ditë para emërimit tim. Pa dyshim që ai do të vazhdojë në këtë pozitë derisa të shpallet konkurs i rregullt.” – ka thënë Cana.

Nacionale ka kontaktuar edhe me Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për detaje në lidhje me emërimin e Sylës si ushtrues detyre i Drejtorit të Infermierisë në Spitalin e Gjilanit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa sa i përket lidhjes familjare të Sylës me zëvendësministrin, Shemsi Syla, këtë Gazeta Nacionale e ka konfirmuar nga burimet e veta dhe e njëjta është lehtë e verifikueshme edhe përmes rrjeteve sociale. Kushtrim Syla në llogarinë e tij në Facebook, vazhdimisht ka bërë shpërndarje të postimeve të Shemsi Sylës, duke e mbështetur publikisht atë.

Të ngjashme