Lajme
Bëhen 14-të, çka do të ndodhë nesër në Kuvend?
Demokracia
11:08 | 10 Maj 2025

Share:

Të dielën e 11 majit do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës ku do të tentohet sërish konstituimi i parlamentit.

Seanca mbahet nga ora 10:00, njofton Klankosova.tv

Për të pestën herë me radhë, Vetëvendosjes i dështoi të premten përpjekja për çuar përpara votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit.

As dje nuk u arrit që të formohet komisioni që do ta zhvillonte këtë proces, pasi 56 ishin për, 1 kundër.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, reagoi pas dështimit për të 13-ën herë radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë për media, ai tha se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë, për të cilën fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Klankosova.tv.

“Po bëhen tre muaj që vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje. Është vështirë të gjenden fjalë për ta përshkruar këtë situatë,” tha Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas kësaj séance mbrojti propozimin e partisë së tij për krijimin e një qeverie tranzicionale.

Në një prononcim për media, ai  tha se LDK-ja ka ofruar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo për protagonizëm, por për të dalë nga bllokada politike në të cilën ndodhet vendi.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj paralajmëroi  se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për vendimet e fundit në Kuvend.

“Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësimin. Do t`i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që me e vlerësu kushtetutshmërinë e vendimeve të marrura në Kuvend. Pra, si rasti për mosvotimit të komisionit për votim të fshehtë dhe gjitha vemdimet tjera paraprake bazuar në procesverbalin e seancave”, ka thënë ai, njofton Klankosova.tv.

 

Të ngjashme