Lajme
“Te shohim çka përmban ftesa”, “Hipokrizi, s’ka filozofi”: Çka e nxiti përplasjen tjetër të ashpër të pushtetit me Osmanin?
Demokracia
22:00 | 09 Maj 2025

Share:

Një takim i partive politike bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, pritet së shpejti.

Kështu bëri të ditur dje Presidenca, teksa theksuan se shumë shpejt do të kontaktojnë me partitë politike.

Por, përderisa opozita është shprehur e gatshme për takim me presidenten Osmani, një përgjigje më të zbehtë e kanë pasur ata që ende janë në pushtet.

Madje, edhe figurat që dikur e kishin Osmanin kryetare të partisë në Listën Guxo.

Fjala është Faton Pecin dhe Donika Gërvallën. Të dy, sikur të ishin të koordinuar, thane se së pari, duhet ta presin çka thuhet në ftesë.

Gërvalla madje, me një përgjigje, tha se institucionet nuk mund t’i krijojë askush përveç fituesit, sepse sipas saj, më pas kalohet në anarki. Se a e ka pasur për Osmanin apo jo, mbetet të shihet.

“Nëse presidentja dërgon ftesë, do ta shohim çka përmban ftesa, dhe për çka na thërret presidentja. Ta shohim letrën, ftesën, temën, dhe do ta japim përgjigjen”, tha ajo.

“Ne mund të flasim për çka do të që doni, por ne të gjithë duhet të veprojmë në kuadër të kompetencave tona kushtetuese. S’duhet t’i ngatërrojmë kompetencat sepse atëherë hyjmë në anarki totale. S’ka kompetenca askush përveç atyre që i kanë fituar zgjedhjet. Një herë të propozojnë kryetarin e Kuvendit, ta konstituojmë Kuvendin dhe pastaj të kalojmë në Qeveri. Të gjithë duhet të veprojmë në kuadër të kompetencave që i kemi dhe jo në tejkalim të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Deklaratë pak a shumë të ngjashme si Gërvalla, ka dhënë edhe Faton Peci.

“Nëse do të vije është hipotetike. Për dialog jemi, jo vetëm për dialog. Institucioni i presidentit është mbipartiak, dhe nuk vihen kushte se kush merr pjesë. Sido që të jetë mbetet të shihet nëse vjen ftesa, përveç ftesës është e rëndësishme edhe përmbajtja e ftesës”, tha ai.

Kjo ka nxitur reagim të ashpër nga Presidenca.

Shefi i kabinetit, Bekim Kupina, ka thënë se Gërvalla e Peci e dine që Osmani nuk bën ftesa kot.

“Në një situatë të tillë, kur qytetarët shohin moskonstituimin e institucioneve si dhe pasojat e kësaj situate për shtetin e Kosovës, për ne është totalisht e pakuptimtë të flitet për “përmbajtje të ftesës”. Nëse është dikush në Kosovë që e di shumë mirë që Presidentja nuk bën ftesa kot e as nuk shkruan përmbajtje kot të ftesave, janë pikërisht z.Peci dhe znj.Gërvalla”, ka deklaruar Kupina.

Ai më tutje ia ka kujtuar Pecit e Gërvallës kohën kur Kurti i përgjigjej në ftesa edhe Hashim Thaçit.

Andaj sipas tij, nuk ka kohë për hipokrizi.

“Unë nuk e di nëse ata kanë folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kur kanë paraqitur sot kushte të tilla, sepse siç e dini edhe ju, z.Kurti i përgjigjej pozitivisht edhe ftesave të Presidentit Thaçi e edhe ftesave të Presidentes Jahjaga (kur kemi pasur një situatë të ngjashme në vitin 2014), prandaj mospërgjigja në ftesën e Presidentes Osmani në një situatë kur vendi po përballet me një bllokadë të rëndë nga e cila pësojnë qytetarët, do të ishte e paprecedentë. Ftesa do të jetë ftesë për takim, pra nuk do të ketë ndonjë filozofi aty. Nuk është koha për hipokrizi por për të treguar nivelin më të lartë të përgjegjësisë shtetërore, sepse qytetarët meritojnë seriozitet maksimal për tema të interesit nacional”, ka deklaruar tutje Kupina për gazetën online Reporteri.net.

Të gjitha partitë politike në opozitë, janë shprehur të gatshme me një “PO” asboluste, për takim me presidenten Osmani.

PDK-ja me Memli Krasniqin, LDK-ja me Lumir Abdixhikun e AAK-ja me Ramush Haradinajn, kanë lënë të kuptohet se do ta pranonin pa hezitim ftesën e presidentes Osmani.

Sipas tyre, duhet një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dilet nga bllokada e cila po vazhdon tash e 13 herë me tentime në Kuvendin e Kosovës.

Se mund të ketë një takim, u la e hapur mbrëmë nga Presidenca e Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, thuhet në përgjigje.

Të ngjashme