Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Kosovarë, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se prodhuesit vendorë janë të shokuar nga rritja e tarifave të energjisë elektrike.
Kjo, sipas tij, për shkak se KEK-u u ka thënë se nuk mund t’i furnizojë me energji elektrike, derisa ofertat e reja janë deri në 260% më të larta sesa deri më tash.
“Dje kemi mbajtur një takim me disa prej prodhuesve vendorë dhe njëri prej tyre, që ka hiç më pak se 350 punëtorë, ka thënë se: ‘Nëse na detyrojnë që prej 1 qershorit të dalim në tregun e hapur me këto çmime, unë do të detyrohem që t’u them punëtorëve që prej datës 1 qershor të mos dalin më në punë, sepse është e pamundur me mbijetu me këto çmime në treg’”, ka pohuar Ajvazi.
Kreu i shoqatës së prodhuesve ka thënë se javën e ardhshme kanë caktuar takime dhe se nuk do të lënë asnjë gur pa lëvizur që këtë vendim ta shtyjnë edhe për një vit.
“Shqetësimi i prodhuesve nuk është pse po dalim në treg të lirë, por që kërkesa e tyre e vetme është shtyrja e afatit dhe kjo është e bazuar në fakte. Afati për daljen në treg është shumë i shkurtër. Në takime, edhe vetë KEDS-i si furnizues na ka thënë se afati është shumë i shkurtër dhe nuk do të mund t’u japin ofertën me kohë. Përveç çmimit që po shihet se është shumë i lartë, në kontratën e KEDS-it me biznese parashihen edhe shumë penalti që ne si prodhues ende nuk i dimë dhe kemi më pak se tri javë deri në daljen në treg të hapur”, ka shtuar Ajvazi.
Penaltitë mund të aplikohen nga KEDS-i në qoftë se biznesi lidh kontratë për pesë megavat dhe të njëjtat nuk i shfrytëzon.