Lajme
Rrëzohet pretendimi i VV-së: Deputetët s’janë obliguar nga Kushtetuesja të marrin pjesë në votim
Demokracia
20:28 | 09 Maj 2025

Share:

Është hedhur poshtë vlerësimi i kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se mospjesëmarrja e deputetëve në votimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe në votimin për formimin e Komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë është antikushtetuese. Ish-hartuesi i aktgjykimit të 2014-s, Enver Hasani, ka thënë se mandati i deputetit është i lirë dhe se gjykata nuk e ka pasur për qëllim disiplinimin e tij.

Nëntë deputetë të Listës Serbe që nga verifikimi i mandateve të deputetëve kanë refuzuar që të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në disa vazhdime me radhë të seancës konstituive, në votim nuk kanë marrë pjesë as deputetët nga komuniteti multietnik, Adem Hoxha dhe Duda Balje.

Së fundmi, edhe deputetët e partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë nuk kanë marrë pjesë në votimin për formimin e Komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, vazhdimisht ka thënë se deputetët janë të detyruar të votojnë dhe për këtë ka cituar një paragraf të arsyetimit të një aktgjykimi të Kushtetueses, i publikuar në vitin 2014.

“Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Këto tri mënyra votimi i njeh edhe Rregullorja e Kuvendit.

Por, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, i cili e ka udhëhequr panelin e gjyqtarëve që e kanë hartuar vendimin, ka thënë se mandati i deputetit është i lirë dhe se vendimi i Gjykatës nuk ka qëllim disiplinimin e tij.

“Ne kemi thënë, format e votimit janë për ta manifestuar vullnetin e një deputeti i cili është tërësisht mandat i lirë. Kjo nënkupton që nuk ka qenë qëllimi as atëherë as sot për disiplinim të deputetëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hasani.

Vlerësim të njëjtë ka dhënë edhe Naim Jakaj, i cili është monitorues i punës së Kuvendit.

“Dispozita … duhet të interpretohet vetëm në frymën afirmative dhe në asnjë rrethanë detyruese. Sepse deputetin nuk mund ta detyrojë askush që të marrë pjesë në votim. Votimi është në vullnetin e tij”, ka thënë Jakaj që është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Përveç votimit, kjo përmbajtje kërkon që në konstituim të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm.

Por që nga hapja e seancës konstituive kanë munguar deputetët.

Neni 40 i Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit ia përcakton ligjvënësit që kur nuk merr pjesë në seanca, duhet ta njoftojë kryetarin e Kuvendit.

E neni 19 i këtij ligji parasheh edhe ndalesë të kompensimit për mungesë të paarsyeshme.

KOHA ka pyetur në Kuvend nëse deputetët që kanë munguar deri më tash në seancën konstituive janë arsyetuar për mungesat. Por, ka munguar përgjigjja.

“Deputetët nuk i përgjigjen administratës”, kanë thënë në Zyrën për Media të Kuvendit.

Në mungesë të kryetarit, edhe kryesuesi Dehari e ka konfirmuar se nuk ka marrë deri tash kurrfarë arsyetimi nga deputetët.

Të ngjashme