Kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i është refuzuar kërkesa për vizitë në Hagë te ish-krerët e UÇK-së.
Për emisionin Kosova Today në Klan Kosova ai sqaroi se ka bërë tre kërkesa për vizitë, dhe ka pranuar refuzim.
“Refuzimi më bëhet jo nga Gjykata Speciale, por nga administrata e burgut, që nuk ka ndodhur asnjëherë kjo. Kjo tregon që kjo gjykatë dhe administrata e burgut po i shkel të drejtat e njeriut brenda në burg por edhe të neve që s’na lejojnë t’i vizitojmë”.
Gucati më tej tregoi se e ka specifikuar në kërkesë që ka kërkuar ta vizitojë Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Pjetër Shalën dhe Sali Mustafën.
“Nuk më kanë kërkuar kushte dhe nuk me kanë treguar se pse është refuzuar vizita. Një dite para se të nisem me kanë dërguar email duke më treguar se më është refuzuar kërkesa, ndërkaq unë i kam bërë rezervimet e biletave dhe të hotelit”.
“Arsyet s’japin fare se pse nuk me lejohet t’i vizitoj. Sot i jam drejtuar me email për të kërkuar arsyen dhe jam në pritje e sipër të përgjigjes së tyre. Do të bej kërkesa vazhdimisht për t’i vizituar krerët e UÇK-së, nuk do të ndalem asnjëherë”, tha Gucati, duke shtuar se nesër në Hagë për vizitë do të shkojë vëllai i ish-presidentit Thaçi, pra që atij i është lejuar vizita.