Lajme
Tahiri godet Qeverinë Kurti: Me logjikë populiste, qasje revizioniste e nën masa të BE-së po e festojnë Ditën e Evropës
Demokracia
12:18 | 09 Maj 2025

Share:

Zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka shkruar për 9 Majin, Ditën e Evropës, duke kritikuar se Kosova po devijon nga rruga e integrimit në BE.

Sipas Tahirit është ironike, se si Kosova e feston një ditë të cilën as shtete anëtare të BE-së nuk e festojnë, ndërkohë që gjendet nën sanksione zyrtare të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se ironia bëhet edhe më e madhe kur 9 maji festohet nga një qeveri me logjikë populiste dhe vizion revizionist, që ka qasje përjashtuese dhe në kundërshtim me politikën.

“Ironia bëhet edhe më e madhe nga fakti se pikërisht sot, kur festohet 9 Maji, qeveria, me një logjikë populiste dhe një vizion revizionist, me qasje kaotike dhe me vullnet politik përjashtues, në kundërshtim me Kushtetutën, fyen dhe dhunon ligjin dhe procedurën, duke imponuar qasje autokratike në konstituimin e Kuvendit. Kjo është sjellje autoritare që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, ligjin dhe procesin e drejtë”, ka shkruar ai

Postimi i plotë:

9 Maji dhe Ironia e Një Rruge që po Devijon!

Sot Kosova shënon 9 majin, të njohur si Dita e Evropës. Më 9 maj 1950, Robert Schuman, atëherë Ministër i Punëve të Jashtme i Francës, përmes një deklarate historike, propozoi një traktat bashkëpunimi me Gjermaninë. Sado modeste të ketë qenë ajo nismë në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore, ajo ishte larg të qenit një ide popullore. Bashkimi Evropian nuk ka qenë gjithmonë ai që njohim sot: gjithpërfshirës, kompleks dhe i rëndësishëm. Ishin imagjinata, vizioni dhe kreativiteti politik që e themeluan dhe e mundësuan BE-në që njohim sot.

Për mua janë tri momente ironike që dua t’i theksoj në këtë ditë:

1. Kosova e shënon këtë ditë, ndonëse shumë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë si festë zyrtare. Është ironike që ne festojmë arritjet e atyre që vetë nuk i festojnë. Megjithatë, kjo datë mbeti e rëndësishme për ne, sepse pas shpalljes së pavarësisë, elitat politike të Kosovës e përqafuan me entuziazëm dhe vizion rrugëtimin e shpejtë drejt integrimit evropian, diçka që sot po vendoset në pikpyetje nga të dy palët!

2. Si është e mundur që Kosova, si vendi më pro-perëndimor në rajon dhe i përkushtuar ndaj vlerave të BE-së, të mbetet ende nën sanksione dhe masa ndëshkuese nga vetë BE-ja, ndërsa Serbia, që hapur po forcon lidhjet me Rusinë dhe refuzon sanksionet — vazhdon të trajtohet me respekt dhe konsideratë nga Bashkimi Evropian? Kjo është një hipokrizi politike që minon besimin në drejtësinë dhe koherencën e vetë BE-së dhe e bën ironik konceptin që ajo përfaqëson.

3. Ironia bëhet edhe më e madhe nga fakti se pikërisht sot, kur festohet 9 Maji, qeveria, me një logjikë populiste dhe një vizion revizionist, me qasje kaotike dhe me vullnet politik përjashtues, në kundërshtim me Kushtetutën, fyen dhe dhunon ligjin dhe procedurën, duke imponuar qasje autokratike në konstituimin e Kuvendit. Kjo është sjellje autoritare që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, ligjin dhe procesin e drejtë.

Për mua është e qartë se, nëse qëllimi ynë është Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe demokracia si sistem politik, atëherë dy palë duhet të ndryshojnë: elita jonë politike duhet të heqë dorë nga kjo qasje, sikurse edhe Bashkimi Evropian nga standardet e dyfishta në procesin e zgjerimit dhe integrimit.

Të ngjashme