Lajme
Aksioni i Antidrogës në Prishtinë rezulton me dy të arrestuar dhe sekuestrim të marihuanës
Demokracia
23:01 | 08 Maj 2025

Share:

Njësia e antidrogës në rajonin e Prishtinës njofton se ka ndërmarrë veprime operative në kuadër të rastit të koduar “Banakieri” me qëllim të luftimit të shpërndarjes së drogës në nivel rrugor.

Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike. Arrestimet janë kryer në lagje të ndryshme të Kryeqytetit pas një pune hetimore disamujore. Njofton policia.

“Gjatë kontrollit trupor dhe në lokacione të dyshuara janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në total janë konfiskuar rreth 626 gram marihuanë, një cigare e mbushur me të njëjtën substancë, para të gatshme dhe pajisje për matje dhe paketim. Vlera e tregut e substancës së konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 3,000 euro”, thuhet në njoftim.

Njësia e Forenzikës Rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes për të dokumentuar dhe konfiskuar provat materiale.

Pas procedurave të nevojshme, të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e policisë për intervistim.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, vijon njoftimi i PK-së.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme