Procesi i pranimit të Turqisë në BE, i cili ka qenë në ngërç që nga viti 2018, nuk mund të rifillojë në rrethanat aktuale, pavarësisht rëndësisë gjeopolitike dhe strategjike të Ankarasë, thuhet në një raport të Parlamentit Evropian.
Eurodeputetët në Strasburg miratuan raportin të mërkurën, me 367 vota pro, 74 kundër dhe 188 abstenime, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Procesi i pranimit është i ngrirë. Nuk ka përparim”, tha për Euronews, Nacho Sánchez Amor, eurodeputet spanjoll (S&D/Spanjë) dhe raportues për raportin mbi Turqinë.
Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoglu, “shtypja” e demonstratave antiqeveritare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut u theksuan të gjitha si shenja të kthimit prapa të demokracisë.
Megjithatë, raporti vuri në dukje se Ankaraja mbetet një partner strategjik i bllokut dhe një aleat kyç i NATO-s, veçanërisht për ndikimin e saj në rritje në Ukrainë, Detin e Zi dhe Lindjen e Mesme.
Gjatë një debati në Parlamentin Evropian, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi nevojën për të thelluar bashkëpunimin me Turqinë në fusha me interes të ndërsjellë strategjik, siç janë klima, siguria energjetike dhe tregtia.
“Deklarata BE-Turqi e vitit 2016 mbi migracionin vazhdon të japë rezultate. Ardhjet e parregullta nga Turqia në BE kanë rënë me 33% këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Kos.