Lajme
Waitz: Mosnjohësit e BE-së të hapin rrugë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Kosovën
Demokracia
21:24 | 07 Maj 2025

Share:

Eurodeputeti austriak nga radhët e grupit parlamentar të të Gjelbërve kërkon nga BE-ja hapjen e negociatave të anëtarësimit me Kosovën, të cilën e vlerëson shtet shembull për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Thomas Waitz, eurodeputet austriak nga radhët e grupit parlamentar të të Gjelbërve, ka theksuar progresin demokratik dhe potencialin e madh që zotëron Kosova falë popullsisë së saj të re, por ka kritikuar bllokimin e rrugës së saj evropiane. Ai i ka bërë thirrje Serbisë dhe pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën.

“Ata mund të jenë liderë në procesin e anëtarësimit në BE, por ende janë të bllokuar si rezultat i luftës së viteve ’90. Unë i bëj thirrje Serbisë që më në fund të bëjë paqe me fqinjin e saj dhe ta njohë Kosovën. Dhe u bëj thirrje pesë mosnjohëseve të BE-së që të hapin rrugën për të filluar negociatat e pranimit me Kosovën”, ka deklaruar Waitz.

Në kuadër të seancës së Parlamentit Evropian të mërkurën, në të cilën ligjvënësit evropianë kanë miratuar raportet vjetore për Kosovën dhe Serbinë, eurodeputeti austriak ka vënë në pah angazhimin e Kosovës për të harmonizuar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, duke e cilësuar shembull për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kosova është zhvilluar drejt një shteti modern të bazuar në sundim të ligjit. Dhe ka ende gjëra për të bërë. Por ata janë duke u zhvilluar shumë mirë. Kosova ka harmonizuar 100 për qind politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, gjë që është vërtet impresive për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar mes tjerash Waitz.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. E përgjatë kësaj periudhe, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes gjashtë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës, Hungarisë dhe Polonisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër s’e ka shqyrtuar, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve kosovare.

Në procesin e zgjerimit ndodhen 10 vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat, pra vazhdon të konsiderohet si kandidat potencial.

Të ngjashme