Lajme
Gjermania synon ta rrisë buxhetin për mbrojtje në mbi 60 miliardë euro
Demokracia
17:14 | 07 Maj 2025

Share:

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, po kërkon një rritje drastike të buxhetit vjetor të mbrojtjes së vendit në mbi 60 miliardë euro duke filluar nga viti 2025.

Kështu kanë thënë për Reuters dy burime të njohura me çështjen.

Në vitin 2024, buxheti i rregullt i mbrojtjes ishte 52 miliardë euro.

Ai u plotësua me 20 miliardë euro nga një fond i posaçëm prej 100 miliardë eurosh i krijuar në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Fondi synon të rikthejë në funksion ushtrinë e Gjermanisë, e cila ishte lënë pas dore prej kohësh, por do të përdoret plotësisht deri në vitin 2028.

Pistorius dëshiron që rritja e buxhetit të hyjë në fuqi në vitin 2025, tha një nga burimet të martën, duke shtuar se ministri synonte të mbante shpenzimet vjetore në mbi 60 miliardë euro për katër vitet e ardhshme dhe se ato do të mbuloheshin nga planet afatmesme të shpenzimeve të qeverisë.

Një burim i dytë, gjithashtu duke folur në kushte anonimiteti, tregoi të mërkurën se ministria e mbrojtjes synonte një buxhet prej rreth 63 miliardë eurosh në vitin 2025.

Kjo do të përfaqësonte një rritje prej 10 miliardë eurosh nga propozimi i buxhetit nën koalicionin e ish-kancelarit Olaf Scholz para se ai të shpërbëhej nëntorin e kaluar.

“Megjithatë, sfida do të jetë se si paratë mund të shpenzohen në kohën e duhur”, shtoi burimi, duke përmendur problemin e zakonshëm që industria e mbrojtjes shpesh ka vështirësi për të rritur prodhimin mjaftueshëm shpejt për të akomoduar porositë e paplanifikuara.

Në vitin 2024, ministria e Mbrojtjes pati vështirësi në përmbushjen e objektivit të NATO-s prej 2% të shpenzimeve ushtarake si pjesë e prodhimit kombëtar për shkak të një shpërndarjeje të ngadaltë të fondeve.

Ndërkohë një burim i lartë qeveritar, i pyetur të mërkurën në lidhje me objektivin e raportuar prej “mbi 60 miliardë eurosh”, ishte më pak specifik, por tha se shifra ishte në nivelin e duhur.

Ndërsa një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes, i pyetur të komentonte për këtë çështje, tha se procesi i buxhetit për vitin 2025 nuk kishte përfunduar. Ajo as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi objektivin e raportuar prej mbi 60 miliardë eurosh.

Të ngjashme