Sport
Xherdan Shaqiri si Feniksi, Basel pranë titullit falë yllit shqiptar të Zvicrës
Demokracia
16:30 | 06 Maj 2025

Share:

Nuk ka statistikë ku nuk është i pari. Xherdan Shaqiri kryeson Superligën e Zvicrës me Bazelin e tij, ndërsa duhet edhe pak deri në përfundimin e sezonit.

Veterani me origjinë shqiptare nga Kosova është Këpuca e Artë me 15 gola deri tani, dhe po ashtu është numri 1 në renditjen e pasimeve për gol me plot 20 asiste.

Padyshim që Zvicra kishte kohë që nuk shihte një shpërthim të tillë.

I rikthyer verën e kaluar në ekipin kuqeblu, Xherdani, u tregua vërtet i jashtëzakonshëm, aq sa edhe tifozët më të zjarrtë të ekipit dhe të tij personalisht nuk e prisnin.

Niveli ishte i shkëlqyer me 15 rrjeta e 20 asistë në 30 ndeshje, një protagonizëm që ishte harruar, dhe që Superliga helvete nuk e njihte prej kohësh.

Veterani 33-vjeçar i lindur në Gjilan të Kosovës provoi në karrierë klube nga më të mëdhenjtë e botës si Bayern, Liverpul apo Inter, fitoi dy herë Championsin, dy herë Kupën e Botës për klubet, 3 Bundesliga dhe Premierligën, si dhe shkëlqeu me Zvicrën me 32 gola në 125 ndeshje, shkruan abcnews.

Në Zvicër, më herët kishte fituar tri herë titullin dhe dy herë Superkupën, gjithnjë me Bazelin, të cilin po e kthen te suksesi në kampionat pas 8 vitesh, që nga 2017-ta.

Bazeli kryeson renditjen e Superligës me 64 pikë në 34 ndeshje, 9 më shumë se vendi i dytë, me diferencën më të madhe të golave, +44 shumë më lart se rivalët, dhe me numrin më të madh të rrjetave të shënuara, 77, ndaj 61 të Luzernit.

Të ngjashme