Lajme
Komuna e Gjilanit pranon se ka gabuar: Pas ndërhyrjes së OSHP-së, i jep kontratën kompanisë që vetë e kishte eliminuar
Demokracia
13:50 | 06 Maj 2025

Share:

Komuna e Gjilanit është detyruar ta prishë vendimin e vet dhe t’ia japë kontratën për furnizim me uniforma për nxënës të klasave të dhjeta kompanisë që vetë e kishte eliminuar nga gara. Kjo ndodhi vetëm pasi operatori ekonomik “Naim Shuki B.I.” e dërgoi rastin në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili konstatoi se eliminimi i tij nga gara ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, shkruan Demokracia.com.

Ky është një nga rastet më tipike se si një autoritet kontraktues tenton të favorizojë një kompani duke eliminuar të tjerat me arsyetime të pabazuara në ligj, dhe më pas, pasi ekspozohet në OSHP, detyrohet ta pranojë se ka gabuar.

Fillimisht, Komuna e kishte eliminuar kompaninë “Naim Shuki B.I.” me arsyetimin se “uniformat e ofruara nga operatori tjetër janë më të mira”, një vlerësim subjektiv dhe i pambështetur në kriteret ligjore të dosjes së tenderit. Kjo u bë pa ndonjë provë konkrete apo analizë profesionale që do ta justifikonte përjashtimin.

“Uniformat dukshëm më të mira” – Skandali i tenderit në Gjilan zbulohet nga eksperti i OSHP-së

Por pas ankesës së kompanisë së eliminuar, Paneli Shqyrtues i OSHP-së konstatoi qartë se autoriteti kontraktues nuk kishte vepruar në përputhje me nenin 59 dhe 72 të LPP-së, si dhe me kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas Panelit Shqyrtues, “ankesa e Operatorit Ekonomik Naim Shuki B.I. është e bazuar”, ndërsa vendimi i Komunës ishte në kundërshtim me ligjin.

“Paneli Shqyrtues ka vendosur që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim dhe autoriteti kontraktues të veprojë në harmoni me dispozitat ligjore të LPP-së dhe kërkesat e dosjes së tenderit”,  thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pasi u detyrua të kthejë procesin në rivlerësim, Komuna e Gjilanit, pa ndonjë sqarim publik, vendosi t’i japë kontratën pikërisht kompanisë që e kishte eliminuar, duke e vërtetuar vetë që eliminimi i mëhershëm ishte i padrejtë dhe i pajustifikueshëm.

Me fjalë të tjera, po të mos ishte ankesa e kompanisë dhe veprimi i OSHP-së, kontrata do t’i shkonte një operatori tjetër në mënyrë të padrejtë, mbi baza të mjegullta si “cilësi më e mirë”, pa ndonjë standard ligjor për krahasim objektiv.

Ky rast nuk është një sukses i një kompanie që u ankua, por është edhe një dëshmi e qartë për keqmenaxhimin e prokurimit nga ana e Komunës së Gjilanit dhe për përpjekjet që mund të jenë bërë për të favorizuar një operator të caktuar. Për më tepër, ai hedh hije të fortë dyshimi mbi mënyrën se si zyrtarët komunalë po përdorin arsyetime të papranueshme për të larguar kompani konkurruese.

Ky vendim për të pranuar “gabimin” vetëm pasi ndërhyn OSHP-ja, nuk e lan fajin. Përkundrazi, tregon se kjo komunë është e gatshme të shkelë ligjin deri në momentin që dikush e detyron ta zbatojë. /Demokracia.com/

Të ngjashme