Lajme
Arrestimi i bujshëm i Hysri Selimit për spiunazh pas të kaluarës me ISIS-in
Demokracia
12:30 | 06 Maj 2025

Share:

Hysri Selimi, një emër i njohur për autoritetet kosovare për përfshirjen e tij të mëhershme në aktivitete terroriste, është arrestuar sot nën dyshimin për kryerjen e spiunazhit.

Arrestimi i Selimit është rezultat i një hetimi të gjerë dhe të thelluar nga Prokuroria Speciale, që përfshinte edhe masa të veçanta hetimore të zbatuara për disa muaj.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë këtij operacioni janë bastisur dy lokacione në territorin e Kosovës, me urdhër të gjykatës kompetente.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale që lidhen me aktivitetet e dyshuara, përfshirë pajisje të komunikimit elektronik, të cilat mund të jenë përdorur për transmetim të informatave konfidenciale.

Selimi është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të zbuluar ndonjë përfshirje të mundshme të palëve të tjera.

Emri i Hysri Selimit nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, mëson Paparaci nga burimet e veta brenda organeve të drejtësisë.

Më datë 23.11.2015 me përgatitje paraprake së bashku me familjen kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me destinacion Sirinë, për t’iu bashkëngjitur ISIS-it.

Sipas aktakuzës së ngritur në atë kohë nga Prokuroria, Selimi ishte i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it, për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë, me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Ai u riatdhesua në Kosovë më 28 maj 2022, ku më pas u përball me proces gjyqësor për çka edhe u dënua.

Tashmë, vetëm pak vite pas kthimit të tij nga zonat e konfliktit, Hysri Selimi përballet me akuza të reja dhe të rënda, këtë herë për spiunazh./Paparaci

Të ngjashme