Lajme
Shala: Qeveria Kurti po u garanton miliona KEDS-it, KESCO-s, NOA-s dhe GEN-it në kurriz të qytetarëve
Demokracia
11:27 | 06 Maj 2025

Share:

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka shprehur shqetësimin e kësaj partie në lidhje me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për herë të tretë për qytetarët e Kosovës brenda një mandati të Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se kjo rritje është selektive dhe diskriminuese.

Sipas tij, Qeveria Kurti po u garanton miliona KEDS-it, KESCO-s, NOA-s dhe GEN-it në kurriz të qytetarëve.

“Kemi një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik, kemi fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë. Qeveria, në vend që të mbrojë interesin publik, është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptive. Sot kemi brenda territorit të Republikës tregje energjetike mbi baza etnike. Sot kemi monopolizim mbi 90 % të importit të energjisë nga kompania GEN dhe NOA. Sot ne importojmë energji elektrike me çmim 100 % më shtrenjtë se në bursat ndërkombëtare. Sot bizneset që po pritet të dalin në tregun e lirë kanë marrë ofertat me 225% më shtrenjtë se çmimi aktual i bursës. Sot shumë biznese po mbyllen apo po ikin jashtë Kosovës, shihni rastin e Feronikelit. Sot kemi rënie të prodhimit në mënyrë drastike në KEK, e tërë politika e kësaj korporate është në favorizim të kompanive private importuese të energjisë”, ka thënë Shala.

Ai ka bërë me dije se me këtë rritje përfitojmë vetëm kompanit tregtare.

“Një sektor energjetik i degraduar. Stabilitet i cenuar. Transparencë dhe konkurrencë e munguar. Interesi publik i nëpërkëmbur. Dhe një klimë gjithnjë e më e rënduar për ekonominë dhe jetën e qytetarëve tanë. Të vetmit që kanë përfituar janë kompanitë tregtare dhe grupet klienteliste, për të cilat kjo qeveri ka kujdes të veçantë përmes emërimeve të kontrolluara në institucionet kyçe. Sot, më shumë se kurrë, duhet të flasim për energjinë si të drejtë dhe si nevojë publike. Pa energji të qasshme dhe të qëndrueshme, nuk mund të ketë as mirëqenie, as zhvillim”, është shprehur Shala.

Të ngjashme