Të paktën 15 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore në kryeqytetin jemenas Sana’a dhe zonat përreth, sipas deklaratave të lëshuara nga grupi rebel Houthi dhe ministria e tyre e shëndetësisë.
Sipas raportimeve, pjesa më e madhe e të plagosurve u regjistrua në zonën e rrugës al-Arbaeen, ndërsa një person tjetër u lëndua pranë rrugës kryesore të aeroportit. Ende nuk ka konfirmime të pavarura mbi viktima të mundshme.
Rebelët Houthi fillimisht akuzuan për sulmet një “agresion të përbashkët SHBA-Britani”, por Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha për Sky News se forcat britanike nuk kanë qenë të përfshira në këto goditje specifike. Megjithatë, Londra konfirmoi se më 29 prill kishte marrë pjesë në një sulm të përbashkët ndaj një objekti ushtarak të Houthive në Jemen.
Ngjarja ndodh në një klimë të acaruar tensioni rajonal, pas sulmit me raketë të kryer nga Houthit në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion të Izraelit, të dielën në mëngjes. Në përgjigje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar hakmarrje ndaj Houthive dhe ka akuzuar Iranin si “mjeshtri” i tyre.
Paralelisht, Izraeli ka shpallur planet për një ofensivë të re të zgjeruar në Rripin e Gazës, e cila mund të përfshijë pushtimin e plotë të enklavës palestineze, sipas një zyrtari të lartë izraelit.