Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka më të lehtë ta sakrifikojë Albulena Haxhiun sesa të dalë e “të matet” vetë kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë, pasi që, sipas tij, nuk i ka numrat e mjaftueshëm.
Pas dështimit të tentimit të 11-të për konstituim të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kurti nuk mund ta mbajë shtetin peng, duhet ta ndryshojë kandidaten nëse dëshiron të bëjë zgjidhje.
“Për Albin Kurtin duket se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme sesa mbi një milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që kanë dhënë verdiktin e tyre se si duhet të krijohen institucionet. Ai po luan me Albulena Haxhiun duke e mbajtur atë si kandidaten që nuk do të kalojë as në të ardhmen, sepse e ka më të lehtë ta sakrifikojë atë sesa të dalë e të matet vetë pasi që e di se nuk i ka numrat. Një gjë duhet ta kuptojë edhe Albin Kuti, nuk mund ta mbajë me zor peng shtetin, e ka mbajtur mjaftueshëm gjatë tashmë, nëse vërtetë dëshiron të kemi rrugëdalje e ftoj ta ndryshojë kandidaten”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, kjo që po bën Lëvizja Vetëvendosje është dhunim i demokracisë.
“LVV-ja duke mos dashur ta pranojë humbjen që e kanë pësuar në zgjedhjet e kaluara, po vazhdon ta mbajë vendin peng. Ky është dhunim i demokracisë, demokracia është pluralizëm, mendime të ndryshme e kompromise. Këtu nuk ka asgjë nga këto. Po tentohet një dhunim i vullnetit”, ka thënë ai.