Moderatorja e njohur shqiptare, Kiara Tito, ka reaguar së fundmi ndaj kritikave që ka marrë për veshjen që kishte zgjedhur të mbante në festën e ditëlindjes së parë të vajzës së saj, Luna Mari.
Përmes një postimi në InstaStory, ajo vendosi t’u japë një përgjigje të drejtpërdrejtë atyre që komentuan negativisht për zgjedhjen e saj të veshjes. Kiara sqaroi se fustani nuk ishte thjesht një përzgjedhje spontane, por i frymëzuar nga një sfilatë ikonike e markës së njohur Chanel, konkretisht nga koleksioni pranverë-verë i vitit 2002.
“Për fustanin e ditëlindjes së Lunës u frymëzuam nga një sfilatë e Chanel, koleksioni pranverë-verë 2002, për të gjithë kritikët. Dhe jo, nuk kisha vapë, isha super rehat!”, shkroi ajo me qetësi dhe elegancë, duke e shoqëruar mesazhin me një fotografi nga festa.
Kiara dhe partneri i saj, këngëtari Luiz Ejlli, u bënë prindër për herë të parë një vit më parë, duke sjellë në jetë vajzën e tyre Luna Mari. Së fundmi, ata organizuan një festë madhështore për të shënuar ditëlindjen e parë të vogëlushes, e cila u shoqërua me shumë emocione, urime dhe imazhe të ndara me ndjekësit në rrjetet sociale.
Vëmendje të veçantë mori edhe fakti që të tre – Kiara, Luizi dhe Luna – ishin veshur në mënyrë të koordinuar, me veshje elegante në nuanca të ngrohta bezhë, duke reflektuar një harmoni dhe stil të veçantë familjar. /Telegrafi/