Në një poligon stërvitjeje ushtarake pranë qytetit të Wroclaw, polakë të zakonshëm janë rreshtuar, duke pritur që t’u jepen armët dhe t’u mësohet si të qëllojnë.
Në një poligon stërvitjeje ushtarake pranë qytetit të Wroclaw, polakë të zakonshëm janë rreshtuar, duke pritur që t’u jepen armët dhe t’u mësohet si të qëllojnë.
“Sapo të mbushet me fishekë, arma është gati për të qëlluar”, thotë instruktori, një ushtar polak, me fytyrën e lyer me bojë kamuflazh.
Të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra, prindër dhe fëmijë, të gjithë kanë ardhur për një arsye: të mësojnë si t’i mbijetojnë një sulmi të armatosur.
Përveç një xhirimi në poligonin e qitjes, programi i i quajtur “Stërvitu me Ushtrinë”, u mëson gjithashtu civilëve luftime trup më trup, ndihmën e parë dhe si të vendosin një maskë gazi.
“Kohët janë të rrezikshme tani, duhet të jemi gati”, thotë koordinatori i projektit, Kapiten Adam Sielicki.
“Kemi një kërcënim ushtarak nga Rusia dhe po përgatitemi për këtë”.
Kapiten Sielicki thotë se programi është i mbingarkuar dhe qeveria polake tani ka plane ta zgjerojë atë në mënyrë që çdo mashkull i rritur në vend të marrë trajnim.
Polonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe Ukrainën, thotë se do të shpenzojë pothuajse 5% të PBB-së për mbrojtje këtë vit, më e larta në NATO.
Javën e kaluar, Kryeministri Donald Tusk tha se Polonia synon të ndërtojë “ushtrinë më të fortë në rajon”.
Varshava ka bërë një mori shpenzimesh, duke blerë aeroplanë, anije, sisteme artilerie dhe raketa nga SHBA-të, Suedia dhe Koreja e Jugut, ndër të tjera.
Deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump dhe anëtarëve të administratës së tij kanë shkaktuar shqetësim të thellë midis zyrtarëve në Varshavë.
Gjatë një vizite në kryeqytetin polak në shkurt, sekretari i mbrojtjes i SHBA-ve Pete Hegseth tha se Evropa nuk duhet të supozojë se prania e trupave amerikane në kontinent “do të zgjasë përgjithmonë”.
SHBA-të aktualisht kanë 10 mijë trupa të stacionuara në Poloni, por Washington-i njoftoi muajin e kaluar se po tërhiqej nga një bazë ushtarake kyçe në qytetin e Rzeszow në lindje të Polonisë.
Zyrtarët thonë se trupat do të ridislokohen brenda Polonisë, por ky veprim ka shkaktuar edhe më shumë shqetësim në vend.
Armiqësia e dukshme e Trump ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe fjalët e ngrohta për Vladimir Putin të Rusisë, vetëm sa kanë shtuar shqetësimin.
Polonia pritet të nënshkruajë një marrëveshje mbrojtjeje me Francën në ditët në vijim dhe një pakt tjetër me Mbretërinë e Bashkuar është në proces.
Lëvizje të mëtejshme këto nga Varshava për t’u larguar nga lidhjet historikisht të forta ushtarake me Washington-in. Gjithashtu flitet për futjen e Polonisë nën “ombrellën bërthamore” të ushtrisë franceze.
“Mendoj se [Trump] na ka shtyrë me siguri të mendojmë më me kreativitet për sigurinë tonë”, thotë Tomasz Szatkowski, përfaqësuesi i përhershëm i Polonisë në NATO dhe këshilltari presidencial për mbrojtjen.
“Mendoj se SHBA-të nuk mund ta përballojnë humbjen e Polonisë, sepse kjo do të ishte një shenjë… se nuk mund të mbështetesh te SHBA-të. Megjithatë, ne duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe të zhvillojmë aftësitë tona”.
Sipas tij, nëse rusët vazhdojnë qëllimet e tyre agresive ndaj Evropës, “ne do të jemi të parët – rojet e portave”.
Ai ia atribuon ndërtimin e shpejtë ushtarak të Polonisë “para së gjithash, situatës gjeopolitike, por edhe përvojës së historisë”.
Trashëgimia e dhimbshme e pushtimit rus mund të ndihet kudo aty.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.