Lajme
Kosova humb ujë sa dyfishi i kapacitetit që bashkërisht kanë Batllava e Badoci
Demokracia
23:23 | 03 Maj 2025

Share:

Në tetë vjetët e shkuar, Kosova ka humbur mbi 756 milionë metra kub ujë. Veç vitin e shkuar, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave, janë humbur mbi 124 milionë metra kub ujë, 12.22 për qind më shumë se më 2023. E ndër shkaktarët kryesorë të kësaj, ekspertë të fushës i numëruan rrjedhjet në rrjetin e vjetër të gypave si dhe kyçjet ilegale në rrjet.

Nga viti 2017 e deri më 2024, Kosova ka humbur gjithsej 756.4 milionë metra kub ujë, ka treguar një raport i publikuar sivjet nga Agjencia e Statistikave.

Sipas këtij raporti, vetëm gjatë vitit të shkuar janë humbur 124.75 milionë metra kub ujë, shifër kjo për 12.22 për qind më e lartë se sa më 2023.

Agron Demi, drejtor i Institutit “Atlas”, i numëroi si shkaktarë kryesorë të humbjeve rrjedhjet në rrjetin e vjetër të gypave, si dhe lidhjet ilegale në shumë zona urbane në Prishtinë e në qytete të tjera.

“Humbja e ujit është goxha shqetësuese, për shkak se edhe ashtu mungesa është e madhe, por edhe këto humbje ndikojnë edhe në kualitetin e ujit, për shkak se ai ujë në ata gypa të vjetër të cilin e rrjedhin ujin, deri të vijë për konsumatorët ndikon goxha shumë në kualitetin e ujit”, ka thënë Demi.

E, në Autoritetin Rregullator të Ujit kanë njoftuar se vetëm gjatë vitit 2023, 61 për qind e ujit të prodhuar në Kosovë nuk është faturuar.

Demi thekson se humbjet e evidentuara mund të barasvlerësohen me gjithë kapacitetin e Liqenit të Radoniqit.

“Ne e kemi bërë një krahasim. Humbjet e ujit janë të barasvlershme sa i tërë uji që mblidhet në liqenin e Radoniqit, apo sa dy herë Batllava e dy herë Badoci së bashku, aq ujë humbet për shkak të rrjedhave të gypave e edhe kyçjeve ilegale”, ka thënë ai.

Shemsi Kelmendi, menaxher i projekteve të ujit, pajtohet se një nga shkaqet e humbjeve është rrjedhja në gypa, teksa shton se ndikim në këtë ka edhe mosmenaxhimi adekuat me ujëra.

“E keqja është që ende sot e shumë vite mbas marrjes së sistemeve në kontroll ende nuk kemi një sistem të mirëfilltë që e menaxhon si duhet rrjedhën e ujit, furnizimit me ujë. Posaçërisht kur e dimë se sa investime janë realizuar deri tash, qoftë nga institucionet tona, qoftë edhe nga donatorët e ndryshëm”, ka thënë Kelmendi.

KOHA i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Mjedisit lidhur me masat e ndërmarra ndaj humbjeve të ujit, investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësit dhe për të dhënat mbi lidhjet ilegale, porse në këtë instancë prej ditësh nuk kanë kthyer përgjigje.

Shkalla e mbulimit të popullsisë me shërbimet publike të furnizimit me ujë është rritur dukshëm krahasuar me paraluftën, por shumë zona ende nuk kanë qasje në rrjet. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht rreth 79 për qind e popullsisë së Kosovës ka qasje në sisteme publike të ujësjellësit.

Bazuar në Strategjinë Shtetërore të Ujërave, humbjet mbeten ndër sfidat kryesore, meqë ato janë të mëdha, dhe nga to shumica janë humbje komerciale.

Të ngjashme