Lajme
Aksioni i policisë në Banjskë në dokumentin e Veselit, mbrojtja e shfrytëzoi për të kërkuar lirim të përkohshëm
Demokracia
18:28 | 03 Maj 2025

Share:

Dy ditë pas seancës së fundit të rregullt në rastin e madh të Speciales, “Thaçi dhe të tjerët”, ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dorëzuan kërkesat për lirim të përkohshëm.

Në Info Magazine të Klan Kosova janë zbardhur detaje nga mbështetja e ekipeve mbrojtëse në Policinë e Kosovës për garantimin e sigurisë gjatë lirimit të përkohshëm, në rast se diçka e tillë aprovohet nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.

Veseli ka pranuar ndër të tjera, të mos ketë kontakt me asgjë nga bota e jashtme, përveç familjarëve të ngushtë. Propozon sef për t’i ruajtur telefonat.

“Me  përmbylljen e paraqitjes direkt të provave nga rasti i Prokurorisë, Mbrojtja parashtron që rrethanat aktuale kërkojnë lirim të përkohshëm. Z. Veseli është i gatshëm t’u përmbahet çfarëdo kushte të vendosura nga Trupi Gjykues, përfshirë kushtet për t’ju nënshtruar arrestit shtëpiak, pa kontaktuar asnjë person përveç familjes dhe ekipit ligjor, pa qasje në telefona apo pajisje tjera të lidhura në internet, dhe ashtu që të gjitha pajisjet që u përkasin anëtarëve tjerë të shtëpisë të mbahen në dollapë me çelësa jashtë shtëpisë, e cila siç është thënë më poshtë mund të implementohet plotësisht nga Policia e Kosovës.”

Rodney Dixon, kryembrojtës i Veselit, ia rikujtoi Smithit një konstatim të Nicholas Guillou në raport me aftësitë e Policisë së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka rikonfirmuar vendimin e tij për vazhdimin e paraburgimit të Z. Veseli. Vendimi i tij u bazua në dy faktorë. (1) se oficerët e qendrës së paraburgimit të Dhomave të Specializuara kanë “kualifikim të lartë” [E REDAKTUAR], dhe trajnohen në aplikimin e regjimit të vizitave dhe komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit të DhSK; dhe (2) informacioni i [E REDAKTUAR] sipas tij nuk ka qenë i mjaftueshëm për eliminimin e mundësisë që Z. Veseli të përcjellë mesazhe tek anëtarët e tij të familjes [E REDAKTUAR], ose që të përdorë mesazhe të koduara gjatë bisedave të monitoruara.

Për ta qartësuar këtë, Avokatët e kanë kontaktuar drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, më 17 mars 2025 dhe kanë pranuar përgjigje më 28 mars. Hoxha i ka listuar një numër trajnimesh që do t’i shërbenin zyrtarëve për t’i ruajtur siç urdhëron Specialja, treshen e UÇK-së.

“Meqë gjyqtari i procedurës paraprake paraprakisht i kishte dhënë peshë trajnimeve të specializuara të oficerëve të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara, Mbrojtja i kërkoi, e Policia e Kosovës tanimë ka ofruar informacione të detajuara për kompetencën që të zbatojnë efektivisht çfarëdo kushti që Trupi Gjykues dëshiron të urdhërojë në lidhje me lirimin e përkohshëm të Z. Veseli. Të gjitha informacionet mbi trajnimet janë përshkruar në plotëni në “Aneks”. Sidoqoftë, Mbrojtja e sheh shumë domethënëse që trajnimet e kryera nga oficerët (e Policisë së Kosovës) të cilët do të ishin përgjegjës për arrestin shtëpiak, përfshijnë: trajnime në [E REDAKTUAR]; monitorim elektronik; dhe telekomunikime dhe [E REDAKTUAR].”

Për t’ia dëshmuar Smithit aftësinë e Policisë së Republikës, Mbrojtja e Krasniqit e citon suksesin e garantuesve të sigurisë në rastin “Banjska”, aktin e agresionit dhe sulmin më të madh ndaj Kosovës që nga pas lufta.

“Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën, tregon se si Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet në gjithë kapacitetet, profesionalizmin dhe efikasitetin: Reagimi në sulmin e Shtatorit 2023 në Banjskë ka shfaqur nivelin e lartë të profesionalizmit të Policisë së Kosovës….” – thuhet ndër të tjera.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk e konsideron Policinë e Kosovës të aftë mjaftueshëm për t’i monitoruar Veselin, Krasniqin dhe Selimin, edhe për faktin se kjo Prokurori nuk mund t’i ndajë informacionet konfidenciale lidhur me dëshmitarët e mbrojtur, prandaj në rast se ndonjëri nga të akuzuarit flet për provat apo dëshmitarët e mbrojtur, që cilësohet si gjuhë e koduar, Policia nuk do të ishte në gjendje ta kuptonte dhe ndalonte këtë.

Të ngjashme