Lajme
Çitaku: E turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk
Demokracia
17:21 | 03 Maj 2025

Share:

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku ende nuk është zgjedhur kryeparlamentari. Përmes një reagimi në Facebook, ajo e ka quajtur të dhimbshme dhe të turpshme mënyrën si po sillet Vetëvendosje që, sipas saj, po e kthen Kuvendin në “cirk” dhe po tallet me qytetarët.

Çitaku ka rikujtuar momentet historike që lidhen me Kuvendin, si nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës, duke shtuar se ai nuk është thjesht një ndërtesë, por një vend i përgjegjësisë dhe nderit.

Postimi i Çitakut:

Për shumë prej nesh, Kuvendi nuk është thjesht një ndërtesë. Nuk është thjesht një sallë ku shkojmë, ulemi, ngremë dorën dhe në fund të muajit marrim një pagë.

Për mua, Kuvendi është vendi ku kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Është vendi ku kemi miratuar Kushtetutën, ku kemi themeluar Ushtrinë e Kosovës.

Për shumë prej nesh, ai vend është emocion, përgjegjësi dhe nder.

Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë.

Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe.

Sinqerisht, për turp.

Të ngjashme