Lajme
Ukraina me vija të kuqe për negociatat e paqes – këto janë gjëra me të cilat nuk do të bjerë dakord
Demokracia
22:26 | 02 Maj 2025

Share:

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se në kuadër të një marrëveshjeje paqeje, Rusia nuk duhet të ketë të drejtën e vetos për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Sybiha theksoi se Ukraina nuk do të pranojë paqe me çdo çmim dhe paraqiti vijat e kuqe në bisedimet për paqe, duke i përshkruar ato si “të qarta dhe të pandryshueshme”.

“Së pari, ne nuk do të pranojmë të njohim asnjë nga territoret e përkohshme të pushtuara të Ukrainës si ruse”, tha ai.

Sybiha shtoi se Ukraina nuk do të pranojë asnjë kufizim në strukturën apo madhësinë e forcave të saj të armatosura, në industrinë e mbrojtjes apo në ndihmën ushtarake nga aleatët dhe praninë e trupave aleate, shkruajnë mediat.

“Së treti, nuk do të pranojmë asnjë kufizim ndaj sovranitetit të Ukrainës, politikës sonë të brendshme apo të jashtme, përfshirë zgjedhjen e aleancave dhe blloqeve që dëshirojmë t’i bashkohemi”, theksoi ai.

Ukrainasi tha se aktualisht nuk ekziston një konsensus mes aleatëve lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por deklaroi se Kievi do të vazhdojë të punojë aktivisht për arritjen e tij.

“Megjithatë, Rusia apo ndonjë vend tjetër nuk ka dhe nuk do të ketë të drejtë vetoje ndaj zgjedhjes sonë”, shtoi ai.

Sot, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J. D. Vance, tha për Fox News se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë “së shpejti”, ndërsa shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, vlerësoi se Rusia dhe Ukraina janë “më pranë, por ende larg” një marrëveshjeje për paqe.

Të ngjashme