Lajme
Paga e prillit: Kurti dhe të tjerët u paguan si ‘qeveritarë në detyrë’, jo si deputetë
Demokracia
20:15 | 02 Maj 2025

Share:

Qeveritarët nga legjislatura e tetë, të cilët janë betuar si deputetë në legjislaturën së nëntë në Kuvendin e Kosovës më 19 prill, pagën e muajit që shkoi e kanë marrë vetëm si anëtarë të pushtetit ekzekutiv në detyrë.

Në një përgjigje për TV Dukagjinin, këtë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

“Në linjë me praktikat e mëparshme për situatën e njëjtë (Qeveria Thaçi 2 në detyrë), anëtarët e kabinetit të Qeverisë në detyrë, e që kanë fituar mandatin e deputetit, do të vazhdojnë të marrin vetëm njërën pagë si anëtarë të kabinetit qeverisës, deri në zgjedhjen e qeverisë së re” – Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë në detyrë

Përkundër betimit si deputetë të legjislaturës së nëntë, Kuvendi ia konfirmoi televizionit se anëtarët e Qeverisë në detyrë nuk mund të marrin paga si ligjvënës pa i lënë pozitat në ekzekutiv.

“Për një pjesë të deputetëve, të cilët janë anëtarë të Qeverisë, kemi pranuar konfirmimin se realizojnë të ardhura nga postet ekzekutive dhe si i tillë do të trajtohet edhe rasti i pagave të tyre. Pra, nga Kuvendi nuk do të realizojnë pagë derisa të hiqen nga lista e pagave në postet ku i mbajnë, ngase me legjislacionin në fuqi nuk mund të përfitohen dy paga njëkohësisht”– Kuvendi i Kosovës

Por, duke i cilësuar ish-qeveritarë e jo qeveritarë në detyrë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se atyre do të duhej t’u takonte vetëm paga nga Kuvendi.

“Të gjithë ata që janë zgjedhur deputetë në këtë legjislaturë, që po mbetet në tentativë për konstituimin e Kuvendit, duhet të marrin vetëm pagën si deputet e në asnjë mënyrë pagën si pjesë e ekzekutivit”, ka thënë Astrit Kolaj, Hulumtues i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi

Ndërkohë, derisa deputetët nga legjislatura e tetë gëzojnë edhe të drejtën për përfitime kalimtare, paga nga Kuvendi nuk kanë marrë ende ligjvënësit e rinj.

“Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të cilët kanë bërë betimin dhe të cilët nuk kanë qenë në listë të pagave në Legjislaturën e Tetë, nuk kanë hyrë ende në listë të pagave dhe se pagën e muajit prill 2025, respektivisht nga data 19 prill, do ta marrin me pagën e muajit maj 2025” – Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun – Kuvendi i Kosovë

Kryeministri nga legjislatura e tetë, Albin Kurti, dy zëvendëskryeministret dhe ministrat, me përjashtim të Liburn Aliut, janë betuar si deputetë të legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme