Phoebe Gates, vajza 22-vjeçare e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, zbuloi pa dashje një detaj të ndjeshëm dhe personal në lidhje me të atin gjatë një interviste në një podcast.
Teksa si studente në Universitetin Stanford rrëfente përvojën e të sjellurit një të dashur në shtëpi – sfidë që sipas saj bëhet edhe më e ndërlikuar kur je vajza e një prej njerëzve më të njohur dhe më të pazakontë në botë – Phoebe përmendi rastësisht një informacion privat për shëndetin e babait të saj.
“Babai im është pak i çuditshëm në aspektin shoqëror. E di, ai ka sindromën Asperger”, u shpreh ajo, pa e kuptuar ndoshta peshën e kësaj deklarate. Komenti i saj, i papritur dhe mjaft personal, shkaktoi reagime të menjëhershme në rrjetet sociale, sidomos për faktin se Bill Gates nuk e ka konfirmuar publikisht ndonjëherë një diagnozë të tillë.
Megjithatë, Gates ka pranuar më parë se ndjen një afërsi me disa karakteristika të spektrit të autizmit. Për herë të parë, një anëtar i familjes së tij përmend konkretisht një gjendje të tillë neurologjike, duke ngritur pikëpyetje për natyrën private të informacionit, raporton yahoonews.
Pas komenteve të Phoebes, videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime mbi kufirin mes privatësisë dhe ekspozimit publik të figurave të njohura. Shumë përdorues u pyetën nëse ajo kishte zbuluar pa qëllim një aspekt të pazbuluar më parë të historisë mjekësore të Gates.
Deri më tani, filantropi dhe miliarderi 69-vjeçar nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me deklaratën e vajzës së tij.
Kujtojmë se në kujtimet e vitit 2023 me titull “Source Code”, Gates shkruan se po të ishte rritur në ditët e sotme, ndoshta do të diagnostikohej me një çrregullim të spektrit të autizmit. Ai përshkruan vështirësitë që kishte në ndërveprimet shoqërore gjatë fëmijërisë dhe përqendrimin e thellë në interesa specifike – sjellje tipike të lidhura me sindromën Asperger, e cila sot konsiderohet pjesë e spektrit autik.
“Isha një fëmijë shumë i përqendruar. Humbja krejtësisht në atë që po bëja, aq sa harroja edhe të haja”, shkruan Gates në libër. “Ndoshta sot do të më kishin diagnostikuar, dhe kjo nuk është domosdoshmërisht diçka negative – është pjesë e asaj që jam”, shtoi ai.
Në një intervistë për Axios në shkurt, Gates foli më tej për ndjesinë e të qenit ndryshe nga bashkëmoshatarët që në fëmijëri.
“Gjithmonë e kam ditur se isha ndryshe – për nga intensiteti i energjisë, mënyra se si izolohesha dhe përqendrohesha në studime”, tha miliarderi.
Ai shtoi se kjo ndjesi mund të jetë sfiduese për një fëmijë, sidomos kur aftësitë shoqërore nuk përshtaten me pritshmëritë e shoqërisë dhe të tjerët të perceptojnë si të pazakontë.
“Prindërit e mi, ndoshta pa e kuptuar plotësisht, pasi nuk kishte diagnozë atëherë, më ndihmuan shumë duke më shpjeguar botën dhe duke më inkurajuar të angazhohesha shoqërisht”, përfundoi Gates.