Lajme
Tërmet me magnitudë 7.5 ballësh në Argjentinë dhe Kili – rrezik për cunami
Demokracia
18:01 | 02 Maj 2025

Share:

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5 ballësh të Rihterit ka goditur bregun jugor të Argjentinës dhe Kilit, duke shkaktuar alarme për cunami.

Autoritetet kiliane kanë shpallur Alarm të Kuq dhe kanë urdhëruar evakuimin e rajonit të Magallanesit dhe Antarktidës Kiliane, shkruan metro.co.uk.

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash, me epiqendër rreth 219 kilometra në jug të Ushuaias, Argjentinë. Pas lëkundjes kryesore janë regjistruar edhe dy pasgoditje me magnituda 5.4 dhe 5.7.

Zonat e prekura nga evakuimi përfshijnë Puerto Williams, Puerto Natales, Punta Arenas, dhe bazat kiliane në Antarktidë. Sirenat e cunamit janë dëgjuar në qytetin port të Puerto Williams.

Sipas Shërbimit Amerikan të Paralajmërimit për Cunami, valët pritet të jenë nga 1 deri në 3 metra dhe mund të godasin brenda një rrezeje prej 300 kilometrash nga epiqendra.

Nuk raportohet për viktima apo dëme materiale deri tani, por autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga zonat bregdetare dhe të kërkojnë terren më të lartë. 

Të ngjashme