Në komunën e Kaçanikut është kryer me sukses një shpërthim i kontrolluar i një bombe 250 kg që daton nga Lufta e Dytë Botërore.
Siç thuhet në njoftimin e KFOR-it, ky operacion u realizua nga Ekipi Austriak i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Bomba u gjet pranë një lumi nga banorët lokalë, të cilët njoftuan autoritetet për prezencën e saj. Më pas, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen dhe neutralizimin e pajisjes shpërthyese, thuhet më tej në njoftimin e KFOR-it.
“Ekipi austriak i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kreu sot një shpërthim të suksesshëm dhe të kontrolluar të një bombe që daton që nga Lufta e Dytë Botërore, në Kaçanik.
Pajisja, me peshë 250 kg, u gjet nga banorët vendas të zonës, pranë një lumi.
Përgatitja dhe ekzekutimi i këtij aktiviteti u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare për të siguruar sigurinë e komunitetit vendas, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico BARDUANI.
Personeli i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) gjithashtu ndoqi këtë aktivitet, si pjesë e trajnimit të tyre në përputhje me mandatin e tyre fillestar. Policia e Kosovës rrethoi zonën.
Ekipet e EOD përbëhen nga personel shumë i specializuar. Ata janë të trajnuar dhe të pajisur mirë për të trajtuar në mënyrë të sigurt municionet e pashpërthyera dhe janë gjithmonë të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave për ndihmë në këtë fushë”, thuhet në njoftim.