“Presidenca e Republikës së Kosovës po shpall një kontratë kornizë 24-mujore për organizimin e ceremonive dhe ngjarjeve zyrtare, përmes një tenderi të ndarë në dy lote”, shkruan Demokracia.com.
Përveç vlerës së konsiderueshme të paraparë prej 180 mijë euro për dy vjet, përmbajtja e dosjes së tenderit ngjall dyshime për kriteret e vendosura, sidomos në Lotin 1, që lidhet me “konceptin kreativ për ceremoni dhe dizajnimin e materialeve vizuale dhe logjistike”.
Çfarë përfshin Lot 1?
Ky lot përfshin një gamë të gjerë shërbimesh dhe produkteve që duhet të ofrohen nga kompania fituese, duke filluar nga:
-
-
Dizajnimi i logos dhe ftesave
-
Printimi dhe montimi i banerëve
-
Shtypja e flamujve ceremonialë
-
Furnizimi me karrige protokollare dhe bina të mbuluara me tepison të kuq
-
Çanta dhe dhurata me logo të Presidencës
-
Ndriçim, zërim, kabina përkthimi dhe pajisje simultane për aktivitete me qindra të ftuar
-
Shtypja e vizit-kartave, letër protokollare me ngjyrë ari, pinat, shirita dekorativë, çadra dhe maica me logon e institucionit
-
Dyshimet për kriteret diskriminuese
Një nga elementet që ngre dyshime është kërkesa për tri certifikata ndërkombëtare për kompanitë pjesëmarrëse:
-
ISO 9001 – për sistemin e menaxhimit të cilësisë,
-
ISO 45001 – për menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë,
-
ISO 20121 – që ka të bëjë me menaxhimin e qëndrueshëm të ngjarjeve.
Kërkesa për këto certifikata të treja mund të jetë tepër kufizuese për tregun kosovar. Shumë kompani që operojnë në fushën e marketingut, dizajnit dhe printimit mund të mos i kenë këto certifikata, jo për mungesë cilësie, por për faktin se ato janë më shumë të fokusuar në tregun vendor dhe standardet ndërkombëtare të tilla janë rrallëherë kërkuar në tenderët publikë të ngjashëm.
Kjo ngre dyshime se qëllimi mund të jetë përzgjedhja e kompanive që janë paraprakisht të përgatitura me këto certifikata dhe përvojë të mëparshme në bashkëpunime me institucionet publike.
ISO 20121- Standard i rrallë për Kosovën
Veçanërisht problematike është kërkesa për ISO 20121, një standard që lidhet me menaxhimin e ngjarjeve të qëndrueshme dhe që zakonisht përdoret për aktivitete me impakt ndërkombëtar të madh, si Olimpiada. Numri i kompanive që e kanë këtë certifikatë në Kosovë mund të jetë shumë i vogël, dhe mund të jenë të numërueshëm në gishta.
Ligji për Prokurimin Publik ndalon vendosjen e kritereve që favorizojnë ose diskriminojnë kompanitë, duke kufizuar mundësinë e konkurrencës të barabartë. Nëse nuk ka një justifikim të mjaftueshëm për kërkesën e këtyre certifikatave, tendenca për të favorizuar një operator të caktuar mund të çojë në pezullimin e tenderit dhe rishikimin e kritereve.
Nëse këto dyshime konfirmohen, KRPP mund të kërkojë sqarime nga autoriteti kontraktues dhe të rekomandojë ndryshimin e kushteve të tenderit. Gjithashtu, operatorët që ndihen të përjashtuar padrejtësisht mund të ankohen në OSHP, që mund të çojë në ndërprerjen e prokurimit dhe rishikimin e kritereve.
Në një periudhë kur institucionet publike po përballen me sfida buxhetore, një kontratë 24-mujore me këto kushte luksoze dhe me kritere të debatueshme ngre shqetësime serioze për transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike. /Demokracia.com/