OpEd
Medalje e “Artë e Lirisë” për William Walker
Demokracia
10:14 | 29 Prill 2025

Share:

NGA MIMOZA DAJÇI 

Nën një ceremoni solemne u përkujtua në “Vatër” 20-vjetori i masakrës së Reçakut. Ky jubile u mbajt pak ditë më parë në Selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Nju Jork, me heroin dhe ish-ambasadorin e OSCE në Kosovë, William Walker dhe komunitetin shqiptar në Amerikë, ku me këtë rast prezantoi edhe librin e tij titulluar “Reçak”, si dhe u nderua nga “Vatra” me “Medaljen e Artë të Lirisë”. Në përkujtim të 20-vjetorit të masakrës së Reçakut, pjesëmarrësit dhe ata që shpalosën kujtime me ish-ambasadorin Walker dhe treguan histori nga tragjedia e Reçakut ishin sekretari i përgjithshëm i “Vatrës” dr. Pash Camaj, kryetari i “Vatrës” dr. Elmi Berisha, ambasadori i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka,

Drejtori i Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës Frank Shkreli, luftëtarë të Bataljonit “Atlantiku” etj.. Kjo nuk ishte hera e parë për ish-ambasadorin Walker, që vizitonte Vatrën. Në vitin 2017 me ftesë të kryetarit të saj dr. Gjon Buçaj pata rast të takoja tek “Vatra” e të zhvilloja edhe një bisedë të rëndësishme për median me ambasadorin Walker. Ajo ditë shënonte 17- vjetorin e masakrës së Reçakut, ku ambasadori Walker si misionari më i lartë i OSCE sinjalizoi dhe bindi opinionin mbarë botëror se në Kosovë kishte ndodhur e po ndodhte krim kundër njerëzimit nga makineria serbe. Vepër heroike kjo e ish-ambasadorit Walker, që për rrjedhojë solli edhe Pavarësinë e Kosovës. Duke e quajtur një tmerr të vërtetë masakrën e Reçakut, ambasadori Walker kujtoi atë ditë të ftohtë dimri kur kishte parë trupa të burrave dhe djemve të fshatit, të cilët i kishin vrarë e masakruar forcat militare serbe një natë më parë.

Ngjarje tha ai qe është e vështirë ta harrosh. Sipas mundësive që i paraqiten, ambasadori Walker shkon çdo vit në Kosovë për të kryer nderimet në Memorial dhe çdo herë ai ndihet më i tronditur. Ajo që kam deklaruar tha ai ishin të vërteta, ishte ajo çfarë kisha parë me sytë e mi dhe nëse kjo bëri që vëmendja botërore të përqendrohej në atë çfarë po ndodhte në Kosovë ishte diçka e madhe. Sigurisht, përgjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 ndër vrasjet e zhdukjet mbi popullsinë e pafajshme shqiptare kanë ndodhur dhunime, maltrajtime, përdhunime edhe mbi femrat, një plagë e hapur kjo edhe sot, ku mbi 20.000 femra kanë përjetuar tmerrin e atyre ditëve me pasoja për jetën. Duke vlerësuar këtë pyetje dhe këto fakte, ambasadori Walker tha se pasojat e luftës për gratë e Kosovës ishin shumë të rënda. Është shkruar një libër nga një grua kosovare që flet për gratë e dhunuara e maltrajtuara nga ushtria serbe në Kosovë. Autorja e ka botuar në anglisht dhe unë kam shkruar parathënien e librit, sepse mendoj se është një përshkrim shumë i fuqishëm, që tregon për çfarë u ka ndodhur grave të Kosovës nga torturat e serbëve siç thoni edhe ju, pasoja këto që ato i vuajnë akoma edhe sot.

Ka fëmijë që kanë lindur nga këto përdhunime dhe gra, të cilave i është shkatërruar krejtësisht jeta si pasojë e atyre çka kanë hequr në kurriz. Por më vjen mirë vazhdoi ai, të them se gratë në Kosovë janë shumë të forta. Çdo herë që shkoj atje, shoh gra të përfshira në politikë e fusha të tjera të jetës, angazhime që sigurisht përpara ose gjatë luftës ato nuk do t’i kishin bërë. Si mbesë e familjes Boletini nuk mund të mos e pyesja edhe për ndonjë vizitë të tij në kullën e familjes Boletini, në Mitrovicë. Ende nuk e kam vizituar Kullën në Boletin tha, në Mitrovicë kam qenë një herë. Për fat të keq situata atje vazhdon të jetë tejet e rëndë.

Në deklarimet e tij për akuzat e Dick Martin dhe Carla Del Pontes, të cilët bindën opinionin ndërkombëtar kundër shqiptarëve me ngritjen e gjykatës speciale ishambasadori Walker ka thënë: “Unë me të vërtetë nuk e di. Gjërat ndodhin në mënyra aq të mistershme. Përshtypja ime është se Bashkimi Evropian, komuniteti ndërkombëtar në një farë mënyrë mendojnë se duhet bërë më shumë dhe ata duan të tregojnë një ekuilibër, pasi një numër i krimineleve serbë të luftës janë në fakt gjykuar dhe dënuar. Në njërin prej këtyre kam qenë i përfshirë edhe unë, në rastin e Nikola Sainoviç, i cili është një njeri vërtetë i keq dhe u dënua. Ndërkombëtarët mund të mendojnë se ne duhet të kemi një gjykatë të veçantë për të gjykuar shqiptarët e Kosovës, gjë që sipas meje mbetet krejt e panevojshme”. Ish-ambasadori Walker ka shprehur kundërshtime ndaj konceptit, se Kosova ka nevojë për gjykata speciale.

Nëse komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar në themelimin e sistemit të drejtësisë, ata do të duhej të kishin më besim në sistemin e drejtësisë, në vend që të kërkonin për diçka tjetër që me të vërtetë do të sjellë drejtësinë, është shprehur ai. Ish-ambasadori Walker ka qenë në favor të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet e kryera në ish Jugosllavi, njëherësh ka qenë edhe një ndër dëshmitarët kryesorë kundër krimeve të Millosheviçit, ku ka folur deri në detaje rreth masakrës së Reçakut dhe për situata të tjera të rënda që ka parë në Kosovë. Dy vjet më parë liderët e Kosovës përuruan me nderime të mëdha bustin e Heroit Amerikan William Walker, i cili tashmë ka miq të shumtë shqiptarë nga të gjitha trevat që e nderojnë e përulen me respekt para tij.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2025