Lajme
Shpenzimet e fushatës zgjedhore – sot mbyllet afati për dorëzimin e raporteve nga partitë politike
Demokracia
09:21 | 28 Prill 2025

Share:

Sot është afati i fundit për subjektet politike që të deklarojnë shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Ai ka theksuar se subjektet politike janë të obliguara të dorëzojnë raportet financiare për shpenzimet e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025.

“28 prilli është afati i fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore. Ky është një detyrim ligjor për të gjitha subjektet politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje” ka deklaruar Elezi për Telegrafin.

Sipas tij, të gjitha 28 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës janë njoftuar me kohë nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për detyrimet e tyre.

“Raportet duhet të përfshijnë periudhën nga 16 gusht 2024, dita kur janë shpallur zgjedhjet, deri më 9 shkurt 2025, kur ato janë mbajtur. Raportet financiare të fushatës, ashtu si edhe ato vjetore, do t’i nënshtrohen një procesi auditimi nga auditorë të përzgjedhur përmes një konkursi të hapur publik,” shtoi Elezi.

Ai theksoi se transparenca financiare është një pjesë thelbësore e procesit zgjedhor për ndërtimin e besimit të qytetarëve në demokraci.

Të ngjashme