OpEd
“Mallkimi i bukur” i Shqipërisë
Demokracia
09:04 | 28 Prill 2025

Share:

NGA BEN ANDONI 

Në këto ditë premtimesh të pafundme të pragzgjedhjeve ‘25, ofendimesh dhe sajesave, ku politikanët e vjetër e kanë sofistikuar gjuhën e komunikimit, bashkë me gafat e lapsuset e Berishës dhe shfrytëzimit të lodhshëm të çdo aseti nga Rama, apo mbroçkullave të shumë prej kandidatëve, një pyetje e thjeshtë bazike po i qëndron në kokë çdo shqiptari që arrin të mendojë për të ardhmen. Pse Shqipëria e begatë prej “Kalasë” së Enver Hoxhës; e pasaportës evropiane të ‘30, e projektuar prej Ramës dhe, e nesërmja “Madhështore” e Berishës mbetet ende një nga vendet më të varfër në Ballkan?!

Pyetja është më shumë retorike, sepse përgjigjja dihet mirë ose të themi merret me mend. Është një fenomen, i cili quhet “mallkimi i burimeve natyrore” ose “paradoksi i bollëkut”. Dhe, është farë e vërtetë se: vendet me burime të bollshme natyrore, si ato që ka vendi ynë: plot naftë (kemi një nga fushëmbajtëset më të mëdha në Evropë), gazi ose mineralet e shumta, jo pak herë kanë rritje të ngadaltë ekonomike, përballen me korrupsion të madh, varfëri dhe mbi të gjitha i bashkon qeverisja e dobët. Këtë të fundit e kemi përballë prej dekadash ose më saktë në gati 125 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar. Ky fenomen është gati kanonik sot dhe qeveritarët e mirë e kanë si modul që të mos veprojnë në atë formë që ta zhveshin vendin e tyre nga burimet, por të krijojnë module zhvillimi. Shembulli u dha hapur nga Margarët Thaçër, e cila në një forum ndërkombëtar, në fund të periudhës së saj të drejtimit, e adresoi këtë shqetësim. “Vendet nuk janë të pasura në raport me burimet e tyre natyrore. Nëse do të ishin, Rusia tani do të ishte vendi më i pasur në botë. Angola do të ishte shumë e pasur dhe ka shumë vende të tjera që kanë shumë burime natyrore, por nuk kanë pasur një ekonomi ndërmarrjeje për t’i zhvilluar ato burime.

Rusia ka gjithçka: naftë, gaz, diamante, platin, ar, argjend, lëndë druri, tokë të mrekullueshme, por ka qenë e varfër. Ajo gjithashtu ka një mjedis shumë të keq.

Janë vendet me sistem të gabuar që nuk kanë krijuar pasuri dhe nuk janë kujdesur për njerëzit.

Shikoni anën tjetër: Japonia – pa burime natyrore. Zvicra – pa burime natyrore. Tajvan – pa burime natyrore. Hong Kong – pa burime natyrore”. Lista vazhdon më pas në të dy drejtimet.

Dhe, pse ky fenomen kaq i njohur nuk i mobilizon ndryshe zyrtarët shqiptarë?! Jo më shumë si problem i pamundësive të burimeve për zhvillimin ekonomik, por si mungesë e një modeli mirëfilli ekonomik, ai përbën esencën e zhvillimit tonë. Shpesh modeli ynë është krijuar dhe sajuar në një mënyrë për të përfituar pak veta. Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se më shumë se gjysma, gati 739 miliardë lekë zotërohen sot nga vetëm 5 për qind e qytetarëve shqiptarë. Sot studiuesit e fushës ekonomike rendisin një sërë arsyesh që nga asimetria e zhvillimit dhe mbështetja te një industri e vetme; çmimet e paqëndrueshme të mallrave por që luhaten dhe prej pasigurive të sotme globale; korrupsioni dhe menaxhimi i dobët, fenomen mirëfilli shqiptar; e ashtuquajtura sëmundja holandeze, e cila si koncept përshkruan një fenomen ekonomik ku zhvillimi i shpejtë i një sektori të ekonomisë (veçanërisht burimet natyrore) precipiton si një rënie për sektorë të tjerë. Fenomeni karakterizohet edhe nga një mbiçmim i konsiderueshëm i monedhës vendëse. (Shqipëria e ka dhe këtë fenomen dhe po e shikojmë këtë prej muajsh me një forcim aspak normal të Lekut); pamundësinë e difersifikimit ekonomik, faktor që i bën vendet shumë të varura ndaj luhatjeve në tregjet globale të mallrave.

Shqipëria ka luhatje të mëdha të elementëve të ndryshëm të ekonomisë të saj. Privatizimet gjatë 35 viteve janë shqetësuese, por më shumë e kanë lënë shqiptarin e thjeshtë me gisht në gojë, teksa shikon që përfitimet e të ardhurave të tij i gëzojnë më së shumti ata që kanë pasur e mbajnë konjuktura të mira me qeverisjet dhe që befas gdhihen investitorë strategjikë. Sot, e kësaj dite, nga politikanët e të dyja palëve e ke të vështirë të dëgjosh artikulime të qarta për pasunarët e vendit, të pasuruar në mënyrë të rrufeshme. Shqipëria ka një përmirësim të lehtë në vitin 2023 me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International, një përmirësim që nga viti 2012 prej 4 pikësh. Anipse radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja. Në raport me një punëtor të Bashkimit Evropian, produktiviteti i një punëtori shqiptar është sa 26% dhe ta kuptosh diferencën duhet të dish se punëtorët më produktivë të kontinentit si ata të Luksemburgut arrijnë me 170% të mesatares evropiane, Norvegjia me 146% etj..

Shqetësimet e një modeli të qëndrueshëm ekonomik nuk u adresuan si duhet edhe në këtë fushatë, paçka se Shqipëria të eci do duhet një mirëkuptim i madh mes politikës, ku të dakordësohet për një sistem fiskal, i cili nuk do ta lëvizë për një periudhë të paktën 1 ose dy dekada. Fatkeqësisht, edhe në këtë fushatë votohet për kryetarët, jo për arsyen dhe mbi të gjitha Shqipërinë për t’i hequr të ashtuquajturin “mallkimin e bukur”. Atë që na shoqëron në çdo diskutim, kur mëtojmë një Shqipëri ndryshe, por duke e penguar njëri-tjetrin. Nuk është vendi për të treguar se ku janë sot vendet që i janë dorëzuar mallkimit të burimeve si Nigeria, Venezuela dhe Angola, por ia vlen të kujtosh menaxhimin e zgjuar të burimeve nga Norvegjia dhe Kanadaja dhe nivelin ku janë sot. Dhe, receta e tyre është e thjeshtë, por sfiduese dhe e gjen teorikisht dhe praktikisht në çdo manual: 1. Diversifikimi i ekonomive të tyre; 2. Zbatimi i qeverisjes dhe transparencës efektive; 3. Investimi në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën; 4. Promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Sfida gati kanonike, ku vendet me burime natyrore mund t’i kthejnë pasuritë jo thjesht në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por edhe në dashuri ndaj vendit të tyre. Ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa është në ADN-në e të gjithë shqiptarëve, kurse mënyra për ta bërë atë na tregon sesa të pamundur e kemi. Dhe, kjo fushatë po na e tregon sërish kompleksin tonë të frikshëm për shtetformimin, ku kompleksi i Rozafës bashkëjeton me Kanunin… modern. Apo ku “mallkimi i bukur” mbetet ligj edhe në mijëvjeçarin III.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2025