OpEd
Nuk ka Kushtetutë për një shtet të ngrirë
Demokracia
12:59 | 27 Prill 2025

Share:

Baton Haxhiu

Kushtetuta është ndërtuar për ta mbajtur gjallë shtetin, jo për të justifikuar bllokimin, ngrirja e Kuvendit nuk është problem teknik, por sulm ndaj qenies së Republikës, dhe pranimi i kësaj si normë do të thotë rrënim i vetë shtetit.

Pas dështimit të Kuvendit për t’u konstituuar brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve zgjedhore, Kosova ka hyrë në një krizë që nuk e kishte përjetuar më parë. Kushtetuta nuk njeh bllokim. Kushtetuta njeh funksionim. Neni 67 e thotë qartë: Kuvendi duhet të mblidhet dhe të formojë organet e veta. Afati nuk është një rekomandim, thjeshtë është një urdhër kushtetues që rrjedh nga logjika e funksionalitetit të shtetit.

Të pretendosh se shteti mund të rrijë i ngrirë përtej këtij afati, pa Kuvend, pa betim të deputetëve dhe pa zgjedhje të Kryesisë, është ta keqlexosh themelin e rendit kushtetues. Shteti nuk ngrihet! Kushtetuta urdhëron funksionimin, jo bllokimin. Ngrirja nuk është një opsion , është një shkelje e kushtetutës së vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, duke u mbështetur në interpretimin e të drejtës për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, po mundohet të paraqesë bllokadën si një situatë të zakonshme politike. Por vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk i japin të drejtën asnjë partie që të mbajë peng Kuvendin dhe, me të, gjithë shtetin. Nuk ka Republikë pa Kuvend. Nuk ka pushtet legjislativ vakant për shkak të llogarive politike të një partie ose të një kandidature të refuzuar shtatë herë.

Në këtë krizë, nuk është Kushtetuta që ka dështuar. Janë aktorët politikë që po përdorin procedurat për të justifikuar mosveprimin. Dhe është detyrë e Presidentes dhe e Gjykatës Kushtetuese ta mbrojnë rendin kushtetues, të nxisin konstituimin e Kuvendit, të afirmojnë parimin e funksionalitetit, të mos tolerojnë më pengmarrjen e institucioneve.

Sepse në thelb, kushtetuta nuk e lejon ngrirjen sepse shteti duhet të funksionojë. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë Kryetarin, atëherë forcat tjera politike duhet të marrin përgjegjësinë për të propozuar dhe zgjedhur. Nëse politika vazhdon të mbajë peng funksionimin e shtetit, atëherë është detyrë e institucioneve supreme të Republikës të mbrojnë logjikën kushtetuese të funksionalitetit mbi absurditetin procedural.

Sot, më shumë se kurrë, pasi kaloi afati kushtetues prej 30 ditësh, është koha për ta thënë qartë: nuk ka Kushtetutë për një shtet të ngrirë; nuk ka shtet nese mungon Kuvendil; nuk ka legjitimitet ku pushteti nuk lind nga procedura e respektuar.

Prandaj, në këtë moment kritik, është e domosdoshme të kuptojmë se Kushtetuta nuk është një dokument për të formalizuar krizën, por për të garantuar jetën e pandërprerë të Republikës.

Nëse e lejojmë ngrirjen të bëhet normë, atëherë shkatërrojmë vetë arsyen pse kemi shtet.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2025