Në prag të përpjekjes së shtatë për të mbyllur seancën që nisi më 15 prill, referuar qëndrimeve të barrikaduara të subjekteve politike, organizatat monitoruese të punës së Kuvendit e vlerësojnë të nevojshme ndërhyrjen e presidentes Vjosa Osmani. Kjo, sipas tyre, duhet të ndodhë për të shmangur përsëritjet pa fund të seancave – në mungesë të një afati për konstitutimin e legjislativit.
Të dielën, 120 të zgjedhur të popullit do të mblidhen për herën e shtatë në atë që, me qëndrimet e barrikaduara, do të ishte “mrekullia” e konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Mbyllja e suksesshme e seancës inauguruese, në vazhdimin e gjashtë – saktësisht një muaj nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve – kusht e ka lëvizjen e subjekteve politike nga pozicionet aktuale.
Përsëritja e skenarit, në vlerësimin e monitoruesve të punës së Kuvendit, mund të vazhdojë pa fund në mungesë të një kufizimi kohor për konstituimin e legjislaturës së re – për dallim nga zgjedhja e Qeverisë dhe presidentit.
“Ligjërisht, edhe sipas Kushtetutës, por edhe rregullores së Kuvendit nuk ka ndonjë limit ose afat kohor se deri kur mund të përfundojë seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Afati 30 ditor që përmendet në Kushtetutë ka të bëj me situatën kur pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidentja detyrohet të caktojë seancën mbi konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në KDI.
Zbrazëtitë ligjore e kushtetuese lënë gjithçka në vullnetin e deputetëve, të cilët megjithatë, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014, kanë për detyrë ta bëjnë Kuvendin funksional.
“Nuk ka asnjë kuptim kur Kuvendi, sipas Kushtetutës, mblidhet brenda 30 ditësh për ta konstituuar vetveten e ndërkohë nuk arrin që për arsye politike të konstituohet dhe të t’i hapë rrugë pastaj formimit të Qeverisë së Kosovës. Rrjedhimisht, konsumimit ose rrjedhjes së afatit për propozimin e mandatarit që i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Naim Jakaj, Hulumtues i Lartë në IKD.
Referuar përsëritjeve, me pauza 48 orëshe ndërmjet, në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësuan nevojën e ndërhyrjes së presidentes Vjosa Osmani.
“Vlerësojmë se në këtë situatë, ndoshta është e udhës që edhe presidentja, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, të aktivizohet dhe të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat që ajo i ka si presidente e shtetit, që t’i ftojë të gjithë krerët e subjekteve politike parlamentare, t’i ulë në një tavolinë dhe bisedojë dhe të gjendet një mundësi ose një marrëveshje, me të cilën do të arrihej një konsensus se si të dilet nga kjo situatë e ngërçit politik”, ka thënë Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në Institutin Demokratik të Kosovës.
Presidentja Osmani është deklaruar e gatshme të përfshihet në proces, por këtë e ka lënë mbi vullnetin e partive politike, nëse ato kërkojnë një gjë të tillë.
Të dyja organizatat, KDI dhe IKD theksuan se duhet të shikohen mundësitë ligjore që të kërkohet opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me afatin për konstituim, propozimin për krye-kuvendar dhe limitin sa herë mund të përsëritet i njëjti.