Lajme
Kosova solidarizohet me Belginin
Demokracia
21:51 | 26 Prill 2025

Share:

Sfidat – midis dhunës dhe racizmit – të adoleshentit 15-vjeçar nga komuniteti ashkali, Belgin Jashari, ndezën një valë të fuqishme reagimesh në opinionin publik dhe nxitën veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse duke arrestuar një person të dyshuar për “sulm fizik” ndaj futbollistit të Fushë Kosovës.

Në storjen e gazetarit të Nacionales, Besian Beha, ku rrëfejnë babai, trajneri, bashkëlojtarët e skuadrës si dhe vetë Belgin Jashari, përshkruhen fyerjet e vazhdueshme racore, kërcënimet dhe rasti i fundit i sulmit fizik, duke nxitur thirrje për masa konkrete nga institucionet.

Presidentja e Vjosa Osmani dënoi ashpër aktin e dhunës dhe racizmit ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, duke e cilësuar atë si një “akt të papranueshëm dhe të patolerueshëm në shoqërinë tonë.”

“Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë. Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.” – tha ndër të tjera Osmani.

Në vijim të reagimit të saj, Presidentja u bëri thirrje institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

“Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje. Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë. Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!” – ka thënë më tej Osmani.

Komiteti Olimpik i Kosovës gjithashtu i bëri thirrje autoriteteve që rasti të trajtohet me prioritet dhe urgjencë, duke i shprehur Belginit mbështetje të plotë: “Ne i qëndrojmë pranë Belginit dhe të gjithë të rinjve që guxojnë të ndjekin ëndrrat e tyre në fushat sportive, e sidomos kur ëndërrojnë të veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës. U bëjmë thirrje institucioneve relevante që ta trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe të garantojnë një ambient të sigurt dhe të drejtë për çdo sportist, pa dallim.” – thuhet mes tjerash ne reagi,.

Sulmin ndaj 15-vjeçarit e denoi edhe ministrja ne detyre e Drejtesise, Albulena Haxhiu, duke thene se sulmi perben “shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe rrezikon mirëqenien emocionale të të gjithë fëmijëve të pranishëm.”

“Dënoj ashpër aktin e dhunës ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, i cili u sulmua fizikisht gjatë një ndeshje në Fushë Kosovë. Ky veprim i papranueshëm përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe rrezikon mirëqenien emocionale të të gjithë fëmijëve të pranishëm. Dhuna, sidomos me motive racore, nuk ka vend në asnjë hapësirë që u dedikohet fëmijëve e aq më pak në një fushë sportive e cila duhet të jetë vend i lojës, zhvillimit dhe përfshirjes.” – tha Haxhiu mes tjerash.

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, theksoi se “reagimet mbështetëse nuk mjaftojnë”, duke kërkuar masa konkrete dhe veprim të menjëhershëm kundër racizmit në Kosovë.

“Me Belgin Jasharin dhe drejtesi per luftimin e racizmit ne Kosove! Belgin, besoj se cdo person qe i thote vetes njeri ne Kosove eshte me ty! Ti je krenaria e gjenerates se re te futbollit te vendit tone te perbashket! Mirepo, reagimet perkrahese nuk mjaftojne! Policia dhe prokuroria duhet te merren me personin qe e ka sulmuar dhe fyer Belginin, dhe ta vejne drejtesine ne vend!”, ka shkruar Peci.

Në valën e solidaritetit me Belgin Jasharin u bashkua edhe aktori i njohur, Fatmir Spahiu, duke bërë një thirrje për reflektim shoqëror.

“Nje popull viktime e racizmit, i cili ekzistimin e ka pagu me gjak, nuk bene me dhane asnje shenje diskriminuese ndaj dikujte qe i takon nje komuniteti a race tjeter. Sidomos ne sport, ku qellimi eshte loja e gara. Si do te silleshim me Ronaldinion nese do te jetonte ne Kosove? Le te jete ky rast motiv per Belgin Jasharin, qe ta perfaqesoj Kosoven me dinjitet ne te ardhmen!” – shkroi Spahiu.

Në lidhje me këtë rast, profesori Blerim Latifi, bërë një krahasim të dhimbshëm mes së kaluarës historike të shqiptarëve dhe realitetit të hidhur të këtij rasti.

“Na kemi vuajtur shumë nga racizmi i fqinjit tonë verior. Na kanë quajtur “njerëz me bisht”. Një kryeministër serb ka shkruar një libër për ta bindur botën se jemi të tillë. Na kanë quajtur “njerëz të paaftë me u qytetëru e evropianizu”. Ende sot Serbia, që nuk pajtohet me humbjen e Kosovës, investon shumë në kët’ propagandë. Prandaj âsht e turpshme kur një djalë si ky bëhet subjekt i sjelljeve raciste nga njerëzit tanë. Nëse ne sillemi me të tjerët ashtu si të tjerët janë sjellur me ne, atëherë veç një gjë do ta arrijmë: lirisë tonë dhe vuajtjeve tona do t’ua ulim vlerën.”

Pas presionit publik, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm fizik ndaj Jasharit. Ai u ndalua për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Të ngjashme
Lajme • 27 Prill 2025