Lajme
Mbi 32 mijë euro për tre muaj, këta janë donatorët e Vetëvendosjes
Demokracia
22:48 | 25 Prill 2025

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet financiare të partive politike përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2025, përfshirë të dhëna mbi buxhetin, shpenzimet dhe burimet e financimit.

Në kuadër të këtij publikimi janë bërë të ditura edhe donacionet e dhëna për subjektet politike në këtë periudhë tre mujore.

Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e parë të këtij viti ka pranuar donacion 32 mijë e 100 euro.

Këto të dhëna Vetëvendosje i ka dhënë në një raport të shpenzimeve janar -mars, të cilat janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Donancioni më i madh sipas këtij deklarimi është 5 mijë euro dhe është dhënë nga Kola Pashki. Edhe Rexhep Hysen Zeka ka kontribuauar për Vetëvendosjen me po të njëjtën shumë.

Një donacion tjetër prej 3 mijë e 420 është bërë nga “Pays LV”.

Edhe “Royal Beverage LLC” i ka dhuruar tre mijë euro për partinë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

“Extra Friut SHPK”  i ka dhuruar për Vetëvendosjen 2 mijë e 500 euro.

“Best Beton” i ka dhënë 2 mijë euro.

2 mijë euro të tjera i ka dhënë edhe Ibrahim Mitatt Morina.

Doancionet e tjera janë më të vogla.

Prej figurave të njohura të partisë del se donacion për partinë kanë dhënë vetëm Avni Dehari, dy herë nga 165 euro  dhe Besnik Bislimi i cili i ka dhuaruar 300 euro. Donacioni më i vogël  i regjistruar është dhjetë euro.

Lëvizja Vetëvendosje po ashtu ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, me totalin që arrin në 1,734,872 euro. Nga kjo shumë, një pjesë e madhe është dedikuar për kategori si akomodim, marketing dhe ushqim e pije.

Vetëm për paga të punëtorëve, VV-ja ka shpenzuar rreth 272 mijë euro, me muajin shkurt që shënon edhe kulmin e shpenzimeve mujore për këtë kategori.

Ndërkohë, në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, që zë peshën më të madhe në bilanc, shpenzimet kapin shifrën prej 604 mijë euro. Brenda kësaj kategorie, partia ka paguar mbi 304 mijë euro për akomodim, më shumë se 257 mijë euro për ushqim dhe pije, dhe 41 mijë euro për furnizime zyre.

Vetëvendosje gjithashtu ka dhënë 111 mijë euro për naftë, gati 500 mijë euro për marketing, dhe 47 mijë euro për dreka zyrtare, ndërkohë që mbi 27 mijë euro janë shpenzuar për udhëtime brenda vendit.

Në tre muajt e parë janë evidentuar edhe shpenzime në shërbime teknike (12,471 euro), si dhe në mobilje dhe pajisje të vogla (8,749 euro). Për komunikim dhe shërbime postare janë shpenzuar 18 mijë euro.

Të ngjashme