Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ka nisur më 15 prill, do të vazhdojë edhe sot për herë të gjashtë.
Gjatë këtyre seancave, Vetëvendosje ka propozuar tri herë radhazi Albunena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, por deri tani nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për të zgjedhur atë në këtë post.
Ndërkaq, opozita ka shprehur gatishmërinë të votojë një kandidat tjetër nga VV për këtë pozita, por ka theksuar qartë se nuk do ta mbështesin Haxhiun.
Një pjesë e opozitës po kërkon ndryshimin e kandidatit nga VV, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të qartë se do të votojë kundër, pavarësisht kushdo që të jetë kandidati.
Kjo situatë ka thelluar bllokimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe ka rritur pasigurinë për vazhdimin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Kritikët e Kurtit thonë se kjo situatë reflekton një mungesë të vullnetit të sinqertë për të formuar institucione funksionale dhe se ky ngërç po vazhdon të vonojë zhvillimin e vendit. Ky qëndrim i tyre politik po shihet si një manovër nga ana e Albin Kurti, i cili duket se është i interesuar të fitojë më shumë kohë dhe si një përpjekje për të shtyrë krijimin e institucioneve.
Haziri: Për LDK-në nuk është problem emri i kandidatit për kryeparlamentar i propozuar nga VV-ja
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputet, për FrontOnline ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se LDK ka deklaruar qartë pozicionin e saj për këtë çështje.
“Në ora 10:00 LDK sërish paraqitet në Kuvend me grupin e saj parlamentar dhe qëndrimin ne e kemi, votën e kemi të deklaruar dhe e kemi atë qëndrim” deklaroi Haziri.
Ai ka theksuar se për LDK-në nuk ka asnjë problem me emrin e kandidatit që propozon Vetëvendosje (VV)
“Për LDK-në nuk është problem emri i përveçshëm, sepse VV-së i takon me bërë propozimin, është në vlerësimin e tyre se kë e kandidojnë” shtoi ai për FrontOnline
Haziri ka theksuar se ky proces është në dorë të VV dhe partnerëve të saj, duke shtuar se si e zgjedhin këtë bllokadë.
“LDK ka thënë se i takon VV me arritë marrëveshje politike për implementimin e zgjidhjes së kryetarit të Kuvendit. Kjo çështje i takon VV-në dhe partnerëve të saj” potencoi Haziri për FrontOnline.
Demhasaj: Kurti nuk i ka numrat për Qeveri, prandaj po e bllokon Kuvendin me Haxhiun si kandidate
Arton Demhasaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-kandidat për deputet, për FrontOnline ka kritikuar veprimet e kreut të VV-së Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes
Demhasaj ka thënë se Kurti dhe VV nuk i ka 61 numra.
“Kurti s’po mundet një Qeveri as me 61 numra. Fakti që s’po mundet me siguru një Qeveri me 61 numra, po e bllokon procedurën qysh në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.” tha ai.
Ai ka theksuar se kjo situatë ka çuar në një bllokim të mëtejshëm të punës së Kuvendit, ku gjithashtu ka akuzuar VV-në për përgjegjësinë kryesore në këtë ngërç.
“Faji kryesor për këtë është i VV-së sepse në mungesë të numrave të Qeverisë, po e bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.”shtoi Demhasaj për FrontOnline.
Demhasaj ka theksuar gjithashtu se propozimi i Albunena Haxhiut nga VV për kryetare të Kuvendit ka qenë një tentativë për të bllokuar Kuvendin dhe procedurat e tij
“Arsyeja pse e kanë vendos Haxhiun, ka qenë bllokimi i Kuvendit” përfundoi ai.
Matoshi: Kurti po përdor kandidaturën e Haxhiut për të zvarritur procesin
Analisti politik Halil Matoshi për FrontOnline ka komentuar ngërçin e vazhdueshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se nuk pret që kjo çështje të zgjidhet në seancën e nesërme.
‘’Jo nuk pres’’, tha ai.
Sipas Matoshit, kjo situatë është një manovër taktike nga ana e kryeministrit Albin Kurti, që po e përdor kandidaturën e Albunena Haxhiut për të zvarritur procesin e formimit të institucioneve.
‘’Kurti e ka mjet taktik Zojën Haxhiu, për zvarritje’’ deklaroi shkurt ai për FrontOnline.