Në një deklarim të pasurisë që tërheq vëmendjen, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulladi Krasniç, ka listuar një rrugë si pjesë të pasurisë së tij të paluajtshme.
Rruga, e cila përfshin një sipërfaqe prej 126 metrash katrorë dhe ka një vlerë të deklaruar prej 1 mijë e 500 eurosh, figuron në listën e pasurive të trashëguara nga zyrtari komunal.
Krasniç ka përfshirë gjithashtu një shtëpi dhe disa parcela toke bujqësore në pronësi të tij, të cilat së bashku vlerësohen në mbi 60 mijë euro.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kryetari ka bërë të ditur edhe posedimin e një veture në vlerë prej 17 mijë eurosh, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka deklaruar po ashtu se posedon 3 mijë e 500 euro para të gatshme – të grumbulluara kryesisht nga pagat mujore që merr.
Ndërsa në pjesën e të ardhurave vjetore, ai ka raportuar më shumë se 14 mijë euro në formë page, e po ashtu edhe mëditje, sigurime dhe subvencione të ndryshme.