Lajme
Bajrami për Kurtin: S’është kryeministër, abuzim me pushtet –do të bëjmë kallëzim penal
Demokracia
15:59 | 24 Prill 2025

Share:

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Kurti sot përuroi urën në Rogovë të Hasit. Në një postim të Ministrit në detyrë, Liburn Aliut, ai i referohet Kurtit si “Kryeministër”, e për këtë deputetja e LDK-së ka thënë se Albin Kurti s’është kryeministër dhe se ai po vazhdon t’i shkel ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ajo thotë se në Nenin 72 të Kushtetutës, i cili është i prerë se “Deputeti nuk mund të mbajë post ekzekutiv”.

“Albini nuk është Kryeministër. Me gjithë votat që ka marrë, ai në këtë moment është vetëm një nga 120 deputetët, i cili me konsistencë po vazhdon t’i shkelë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Edhe nëse dikush përpiqet t’i amnistojë duke thënë se “Ligji për Qeverinë s’është ligj i hartuar mirë”, ne e kemi Nenin 72 të Kushtetutës, i cili është i prerë: “Deputeti nuk mund të mbajë post ekzekutiv”.

“Kjo nuk është çështje teknike. Kjo është shkelje e rendit kushtetues, marrje peng e institucioneve dhe shkelje e betimit të dhënë në Kuvend.

Po e përsëris: Albin Kurti nuk është më Kryeministër, as Albulena Haxhiu, as Hekurani Murati, as të tjerët nuk janë më ministra – janë deputetë që po vazhdojnë të sillen si qeveri, po i mashtrojnë qytetarët, po i shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.

Ajo madje thotë se Kurti po abuzon me pushtet.

Sipas saj, Prokuroria duhet të veprojë, e madje paralajmëroi se LDK-ja do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.

“Kurti, bëji votat në Kuvend! Kthehu në zyrë me mandat të ri, ose eja në Kuvend dhe rri si deputet. Përndryshe, me këto sjellje dhe veprime je duke vazhduar me rrënim të rendit kushtetues. Kushtetuta nuk është alternativë – është detyrim! Abuzimi në emër të votës, abuzimi me pushtet dhe shkelja e ligjeve dhe e Kushtetutës nuk duhet të normalizohen. Prokuroria duhet të veprojë – tani!

P.S. LDK shumë shpejt do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje”, shkruan Bajrami e LDK-së.

Të ngjashme